Edi Rama dhe Ben Blushi janë shfaqur sëbashku në një tribunë, duke kërkuar votën e qytetarëve të Korçës për kandidatin Niko Peleshi. Edi Rama theksoi se ky bulevard është shëmbëlltyra më e mirë e pengut të qeverisjes vendore, por nëpërmjet Peleshit ai iu rikthye qytetarëve. “Sot u mblodhëm në këtë bulevard që ishte pengu i Saliut. Duke parë daljen e tij në dritë, e kupton se çfarë e tremb Saliun e Tiranës. Atë e tremb e bukura, qytetërimi dhe fuqia e ndryshimit që kemi sjellë në gjithë Shqipërinë, siç kemi bërë transformimin e Korçës në drejtimin e Niko Peleshit”, theksoi Rama. Kreu i socialistëve akuzoi sakaq, Kryeministrin si model të uzurpimit të pushtetit, si dhe i përpjekjes për të mbuluar me premtime problemet e vërteta që kërcënojnë qytetarët. “Asfalti i Saliut nuk e mbulon dot papunësinë, padrejtësinë dhe varfërinë dhe nuk i përgjigjet dot asaj, ndërkohë që del sa në njërin fshat në tjetrin dhe thotë bëra këtë rrugë, këtë kanalizim, por këto janë punë komunale. Kryeministri duhet të përgjigjet sa e ka ulur papunësinë, por Saliu nuk përgjigjet”, u shpreh Rama. Deputeti Ben Blushi tha se nuk ishte e lehtë për ne, për mua, për Nikon, për Edin, për Pandin, të vinim deri këtu. “Na kishin bllokuar rrugën shokët e Saliut, të Aldos, të Ridvanit, këtu në Korçë. E di si e kishin bllokuar rrugën? E kishin mbushur rrugën me fotografitë e Saliut, e Ridvanit dhe të Aldos, duke na detyruar t’i shkelnim për të ardhur deri këtu. I shkelëm, edhe Saliun, edhe Ridvanin, edhe Aldon. Por sigurisht që mbasi gjetëm rrugën tonë kaluam nëpër rrugët që ka shtruar Niko Peleshi në Korçë”, u shpreh Blushi. Ky është ndryshimi, vijoi ai, kjo është diferenca mes Niko Peleshit dhe Sali Manos. “Duke votuar për Niko Peleshin, ne nuk votojmë vetëm për Korçën, por votojmë edhe për Voskopin, për të gjitha komunat e kësaj zone. Ne votojmë më 8 maj kundër varfërisë, kundër papunësisë, kundër korrupsionit. Ne votojmë në datën 8 maj kundër Sali Berishës”, theksoi Blushi. Më herët, Rama ishte në komunën e Kasharit, ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”. Në vlerësimin e tij, duket sikur ndahet me thikë Tirana e qeverisur nga Bashkia e Tiranës, nga komuna Kashar. “Teksa shkëputesh nga Tirana, vetëm një rrugë më tutje, ku quhet territor i Komunës së Kasharit, të duket sikur hyn në një territor të Tiranës së 10 viteve më parë, që për kryeqytetasit tashmë është thjesht pjesë e së shkuarës”, theksoi Rama. Duke treguar një rrugë si kufi, kreu i Bashkisë Edi Rama, në takimin me një grua të zonës, theksoi diferencën mes dy modeleve të zhvillimit urban: “Ja ku është kufiri, këtej është Tirana që qeverisim dhe administrojmë ne. Këtu fillon kandahari i Saliut, ku njerëzit marrin shtëpi në mes të asgjëkundit me këto farë rrugësh”. Apeli i Kreut të Bashkisë ka qenë për një votë kundër Saliut dhe modelit të tij më 8 maj dhe votë pro modelit të Tiranës europiane: “Është absolutisht e rëndësishme që të ndahemi nga ky model. Më 8 maj t’i jepni fund kësaj historie, sepse votoni për Bashkinë e Tiranës, ju mbajnë këtu pengje të Komunës Kashar. Komuna vetëm ndërton sup më sup, si male pallatet”.