Në fjalën e mbajtur gjatë seancës plenare, kryeministri Edi Rama foli për integrimin e Shqipërinë në Bashkimin Europian.


Ai u shpreh i bindur se negociatat do të hapen, duke përmendur edhe reformat e ndërmarra.


“Rikonfirmimi i rekomandimit pa kushte për të dytën herë nga KE për Shqipërinë është edhe rikonfirmim i një të vërtete shumë të thjeshtë, Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat për të çelur negociatat për anëtarësim. Hapja e negociatave është një vendim që merret nga KE-ja, që përbëhet prej të gjithë kryeministrave dhe presidentëve të vendeve anëtare bazuar në rekomandimin e komisionit, por edhe si rezultat i dinamikave të brendshme në vendet anëtare.


Të vazhdojmë me zbatimin e reformave, jo sepse na e kërkon Brukseli, por është e vetmja rrugë për të ndërtuar një shtet me parametrat e BE-së”, tha ai.


Një nga kushtet për Shqipërinë për hapjen e negociatave ka qenë reforma në drejtësi. Kryeministri Edi Rama kishte një përgjigje për ndërkombëtarët që kanë kërkuar ‘peshq të mëdhenj’ para drejtësisë.


“Sot ne jemi në një moment të rëndësishëm zhvillimi të zbatimit të Reformës në Drejtësi, e cila është një reformë kyçe.


Në reformë e luftës sistemike me korrupsion dhe kush është mësuar të flasë dhe recitojë përmendësh edhe në hapësira të ndryshme demokratike jashtë për peshq të mëdhenj, i duhet dhënë një përgjigje e thjeshtë, çfarë lloj peshqish janë ata që janë përjashtuar nga drejtësia?


Çfarë lloj peshe kanë pasur ata mbi shpatullat e këtij vendi dhe sa e kanë penguar ata për zhvillimin e vendit.


E kanë penguar jashtëzakonisht shumë, duke vendosur precedentë tepër të rrezikshëm, deklaroi Rama.