TIRANE - Qytetarët e Tiranës do të udhëtojnë përgjatë unazës së kryeqytetit me mjete urbane të teknologjisë më të re. Prej ditës së djeshme, ata kanë në shërbimin e tyre 10 autobusë, të gjithë me kilometrazh zero, të cilët ofrojnë komoditet, ajër të kondicionuar dhe shërbime sa më korrekte. Kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama pasi ka vlerësuar para drejtuesve të transportit dhe linjave urbane këtë rritje të cilësisë së shërbimit u shpreh se kjo është hapja e reformës radikale që do të shtrihet përgjatë muajve në vijim në mbarë linjat e kryeqytetit. Vetë kryetari i bashkisë së kryeqytetit preferoi të zgjedhë për disa minuta udhëtimin në autobus me urbanët e rinj, të vendosur nga kompania "Ferlut sha" duke ftuar dhe shumë nga drejtuesit e automjeteve në këto ditë të nxehta të lehtësojnë trafikun. Autobusët e teknologjisë së lartë do të plotësojnë 100% këtë linjë dhe ofrojnë hyrje të lehtë dhe platformë të sheshtë për njerëzit me aftësi të kufizuar, siguri në bord, sisteme monitorimi me kamera si dhe kontroll dhe menaxhim. Linja e unazës përballet me fluksin më të lartë të pasagjerëve dhe pritet që ky investim të garantojë dhe shpejtësinë e shumëpritur nga pasagjerët siç është dhe frekuenca e lëvizjes. "Një tjetër parti autobusësh me standarde tërësisht evropiane hynë sot në qarkullimin e kryeqytetit dhe bëhen pjesë e projektit tonë për transformimin rrënjësor 100 për qind të të gjitha linjave të autobusëve urbane, me të gjitha kushtet si këto brenda periudhës së parë të vitit të ardhshëm. Gjë që do të inkurajojë shumë qytetarë që për qarkullimin brenda për brenda kryeqytetit të lënë makinat personale të kursejnë dhe njëkohësisht të mund të qarkullojnë me kushte plotësisht cilësore duke lehtësuar kështu edhe vetë qarkullimin në kryeqytet dhe njëkohësisht edhe buxhetin e tyre familjarë", u shpreh kryebashkiaku Rama gjatë inaugurimit. I pranishëm ishte në këtë inaugurim dhe presidenti i "Ferlut sha", Ferdinand Ibrahimi. "Kompania "Ferlut sha" në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës mori një vendim që në linjën e unazës, duke qenë se rruga është sistemuar goxha, të krijojmë disa kushte më komode për popullatën e Tiranës. Deri në fund të këtij viti kemi vendosur që të plotësojmë në masën 100 % linjën e unazës me autobusë të rinj, të cilët do të jenë të pajisur me të gjitha kushtet, duke filluar që nga kondicionimi, qoftë për ngrohje qoftë për ftohje, e deri tek elementët e sigurisë, siç janë kamerat e sigurisë etj... Linja e unazës ka afërsisht 45-50 autobusë", pohoi Ibrahimi. Ai thekson faktin se autobusët kanë një sistem elektronik dhe një nga programet janë kamerat, të cilat regjistrojnë çdo lëvizje që ndodh dhe sa njerëz hipin dhe zbresin. Këto kamera regjistrojnë çdo gjë, dhe në rast se ka vjedhje është lehtësisht e evidentueshme, pasi çdo lëvizje është e regjistruar. Presidenti i "Ferlut sha" pohon se ndonëse ky investim kap shira të mëdha, ai është kryer me qëllim që t'u mundësohet qyetarëve një lëvizje me komode dhe pa vështirësi.