Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka njoftuar të gjithë besimtarët myslimanë se namazi i Fitër Bajramit këtë vit do të falet nëpër xhamia sipas masave dhe protokollit të përcaktuar.


“Duke vlerësuar situatën dhe ecurinë e zhvillimeve të fundit mbi përhapjen e Covid-19 në Shqipëri, KMSH bën me dije se namazi i Fitër Bajramit këtë vit do të falet nëpër xhamia sipas masave dhe protokollit të publikuar më parë,”- njoftoi KMSH.


Ceremonia qendore e Fitër Bajramit, ku do të jetë i pranishëm edhe kryetari i KMSH, Bujar Spahiu, do të zhvillohet në xhaminë e Kokonozit në Pazari e Ri në Tiranë ditën e dielë.


bujar spahiu


Nesër është Fiter Bajrami dhe i uroj të gjithë besimtarëve myslimanë shiptarë gëzuar dhe për vite. Paqe, lumtur e harmoni sjelltë Bajrami në familjet tuaja. Bajrami është ditë shprese, gëzimi e solidarizimi. Është dita manifestimit të vlerave dhe virtyteve që Ramazani ka rizgjuar tek njeriu. Këtë muaj e përjetuam ndryshe nga Ramazanet e tjera. U privuam nga namzet e përbashkëta, iftaret dhe festimet e përbashkëta. Falë Zotit ky Bajram vjen me një situatë më të përmirësuar,- uroi Bujar Spahiu.


Dua të falenderoj punonjësit e Shëndetësisë që punuan për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve të prekur nga pandemia,- shtoi kreu i KMSH në urimin e tij.


Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka rikthyer në fuqi ditën e djeshme urdhërin që njerëzit të izolohen në shtëpi gjatë fundjavës.


Pavarësisht lehtësimit thuajse të plotë të masave kundër koronavirusit, e diela u mbyll sërish.


Vendimi i papritur i kryeministrit Rama u lajmërua shkurtimisht në Facebook dhe vlen për zonat të cilat konsiderohen ende të kuqe për shkak të koronavirusit.


Festa është kulmi i një muaji agjërimi, i cili mbyllet zakonisht me lutje të përbashkëta mëngjesin e ditës pas mbylljes së muajit të shenjtë të Ramazanit.