Kryeministri Edi Rama priti kryeministrin e Sllovakisë Robert Fico, i pari kryeministër sllovak që viziton Shqipërinë. Në konferencën e përbshkët për shtyp Rama e quajti Sllovakinë shembull nga e cila mund të mësojë jo vetëm Shqipëria por i gjithë Ballkani.

Kryeministri shqiptar vlerësoi mbështetjen e Sllovakisë për integrimin e Shqipërisë dhe u shpreh se shpresonte që Sllovakia të njohë Kosovën, për të cilën kryeministri sllovak tha se nuk kemi arsye për ta njohur atë.

“Mbështesim dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Le të mbështesim dialogun. Qeveria jonë nuk do të ndërmarrë asnjë hap që jetën e njerëzve në Kosovë do ta bënte me të vështirë. Po ndjekim zhvillimet dhe do të ishim të lumtur nëse dialogu do të përmbyllej me një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.”- deklaroi kryeministri i Sllovakisë.

Dy kryeminsitrat kanë folur gjithashtu ehde për bahskëpunimine mëtejshem mes dy vendeve në fushën e ekonomisë dhe turizmit.



Kryeministri sllovak pritet nga kreu i kuvendit Ilir Meta

Ndërkohë, kryeministri i Sllovakisë u prit edhte nga Kryetari i Kuvendit Ilir Meta. Ata biseduan për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.



Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Sllovakisë në proceset e integrimit të shqipërisë, Meta shprehu vendosmërinë e Shqipërisë për të avancuar me reformat dhe forcimin e ligjit.

Nga ana e tij Fico nënvizoi se Sllovakia, si një vend i ri anëtar dhe si histori suksesi e Bashkimit Evropian, është e gatshme të ofrojë eksperiencën e saj në kuadër të integrimit evropian dhe të thithjes së investimeve të huaja në Shqipëri.



Presidenti Nishani pret Kryeministrin Sllovak, Fico

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Kryeministrin e Republikës së Sllovakisë, Robert Fico dhe delegacionin që e shoqëron, të cilët ndodhen për një vizitë zyrtare në vendin tonë.



Presidenti Nishani i vlerësoi marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Sllovakisë si shumë të mira dhe shtoi se ne kemi vullnetin e palëkundur për zhvillimin e mëtejshëm të tyre.



Më tej, Presidenti vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të Sllovakisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke nënvizuar se integrimi evropian është prioritet strategjik i vendit, si edhe vuri në dukje angazhimin tonë të plotë për përmbushjen e reformave me qëllim marrjen e statusit në qershor 2014.



Për situatën në rajon, Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria mbetet e vendosur në mbështetjen e paqes dhe stabilitetit duke ndjekur politikën e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal, me synimin e përbashkët integrimin euroatlantik dhe shtoi se dialogu Kosovë-Serbi është dëshmi se po lemë pas të shkuarën duke vështruar nga e ardhmja.



Kryeministri Fico tha se Shqipëria duhet të llogarisë mbështetjen e vazhdueshme të Sllovakisë në procesin e integrimit evropian, ndërsa premtoi se vendi i tij do të ofrojë ekspertizë në fushat me interes.



Kryeministri sugjeroi që të bëhen përpjekjet për t`i hapur dyert biznesit dhe të nxiten shkëmbimet tregtare, fillimisht nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe.



Bashkëbiseduesit ranë dakord për nevojën e intensifikimit të dialogut politik dhe komunikimit dypalësh.