Kryeministri Edi Rama disa ditë më parë ishte i pranishëm në një emision televiziv, ku i veshur si Babagjyshi i Krishtlindjeve surprizoi një vajzë nga komuniteti rom.


E reja, e quajtur Eriglisa rrëfeu historinë e saj, ku vendosi theksin tek peripecitë me të cilat është ndeshur ajo dhe familja e saj në përballje me varfërinë.


Ajo gjithashtu i kërkoi kryeministrit një shans për të festuar dhe dhurata për fëmijët rom dhe egjyptian që ndjekin kopshtin, ku ajo është edukatore.


Rama e siguroi Eriglisën se do ta shoqëronte për të shpërndarë dhurata, ndërsa i ofroi asaj pozicionin e punës së këshilltares së Ministrit për Çështjet Sociale.


Sot, teksa kanë kaluar pak ditë nga momenti kur i premtoi Eriglisës një vend të ri pune, kreu i qeverisë me një status në Facebook i uron asaj mirëseardhjen në ekipin e Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.


Viti i ri i punës nisi sot në mëngjes, me mirëseardhjen e Eriglisës në ekipin e Ministres së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, shkruan Rama në Facebook.


3 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)