Prej disa orësh Kryeministri Edi Rama ka mbledhur grupin parlamentar të Partisë Socialiste në Durrës, takim i cili vjen një ditë para nisjes së sesionit të ri parlamentar.



Takimi që pritet të zgjasë deri në orët e mbrëmjes, pritet të sjellë edhe miratimin e një rregulloreje të brendshme, i quajtur ndryshe kod etike për të gjithë deputetet, të cilët nuk duhet të veprojnë ndryshe nga vendimet e grupit në seancë, siç ndodhi sesionin e shkuar.

Takimi po zhvillohet pa praninë e medias, ndërsa nesër pasdite në orën 17:00 do të mbahet edhe seanca e parë e këtij sesioni parlamentar.

Konferenca e Kryetarëve miratoi kalendarin e punimeve 3 javore të Kuvendit, ndërsa Komisioni i Ligjeve dhe ai i Sigurisë rrëzuan dekretet e Presidentit Nishani, i cili ktheu të gjitha ligjet që maxhoranca miratoi në seancën e fundit të sesionit të shkuar.

Ndërkohë, nesër do të miratohen vetëm dy dekretet e kreut të shtetit, ai për emërimin e Ermonela Felaj, në detyrën e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, si dhe ai për shkarkimin e Ilirjan Celibashit nga kjo detyrë.

Ndërkaq, Partia demokratike pritet që nesër të bëjë zyrtar qëndrimin e saj, por sipas të gjitha gjasave dhe qëndrimeve të deritanishme, demokratët do të vijojnë bojkotin. / Top Channel