Edi Rama nuk është shprehur ende për audio-përgjimin e publikuar nga PD, 2 ditë më parë. Por përmes një statusi në Facebook, vetë kryeministri, menjëherë pas kthimit nga Franca, lajmëroi se për këtë çështje do të flasë sot përpara grupit parlamentar socialist.


Mbledhja e grupit, e thirrur nga vetë kryetari socialist, do të mbahet në orën 11, në kryesinë e kuvendit. Jemi të gjithë njësoj?JO, skemi qenë asnjëherë të gjithë njësoj e sdo jemi kurrë njësoj! Nesër në 11.00 përpara Grupit Parlamentar, qëndrimi im për situatën e krijuar me Ministrin e Brendshëm dhe ecurinë e përpjekjes diplomatike drejt objektivit historik të çeljes së negociatave.


Ende nuk dihet në qoftë se vetë ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj do të jetë apo jo në mbledhjen e grupit, pasi ende vetë ai nuk është shprehur përgjatë 48 orëve të fundit për audio-përgjimin, në të cilin sipas demokratëve është përfshirë i vëllai, si bashkëpunëtor në trafikun e drogës.


Ndërkohë koalicioni opozitar ka paralajmëruar sot një protestë, në mesditë, përpara zyrës së ministrit të Brendshëm Xhafaj, ku do të kërkojnë sërish dorëheqjen e tij. Ende nuk dihet qëndrimi që demokratët dhe LSI do të mbajnë sot në komisionet parlamentare në Kuvend, pas paralajmërimit një ditë më parë se nuk do të ketë normalitet në komisione apo parlament, derisa Fatmir Xhafaj të dorëhiqet nga posti i ministrit të brendshëm.


16 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)