Në komunikatën për mediat që zhvilloi nga Berati, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te një çështje shumë e rëndësishmë për vendin siç është punëismi.


Sipas Ramës, qeveria ka pasur në fokus disa vendime që synojnë rritjen e ndërveprimit midis agjencive të qeverisë dhe pushtetit vendor në funksion të qytetarëve dhe punësimit.


Për këtë arsye është miratuar krijimi i fokusit social që shkon në drejtim të decentralizimit të shërbimeve sociale, por që bën të mundur krijimin e një fondi të përbashkët mes Bashkisë dhe qeverisë. Është një praktikë e mirë në shumë vende,edhe në rajon dhe besojmë se do të na japë përmirësim të ndjeshëm. Qeveria autorizon bashkitë për të ngritur shërbimet sociale sa më pranë nevojave më specifike të komuniteteve në bashki, deklaroi kryeministri.


Kreu i qeverisë shtoi më tej se në mbledhjen në Berat, është diskutuar edhe për statusin e shërbimit kombëtar të punësimit dhe programin kombëtar të punësimit, që është një sfidë e madhe e qeverisë dhe që ka nisur të hartohet, por jo si strategji dhe as një projekt qëllimmirë, por si program i detajuar sektor për sektor i punësimit.


Ne kemi objektivin ta lançojmë publikisht në pranverë. Për këtë program kombëtar të punësimit 2018-2021 kemi ndërtuar një rreth të mirëbesueshëm me BB, ekspertizën më të mirë vendase dhe të huaj, por edhe donatorë dhe ministri, theksoi Rama.


Edi Rama mbrojti edhe skemën e ndihmës sociale. Kryeministri tha se një pjesë e madhe e atyre që janë larguar nga skema, janë të aftë për punë, por refuzojnë të punojnë.


70 për qind e atyre që kanë pretenduar të përfshihen dhe nuk janë përfshirë në skemë janë të moshës 24-45 vjeç dhe plotësisht të aftë për punë. Unë nuk mund ta pranoj që fabrika të rrezikojnë të falimentojnë për shkak se nuk shkon njeri të punojë dhe nga ana tjetër, ata që janë të aftë për punë të kërkojnë ndihmë ekonomike ndërkohë që u ofrohet punë. Po flas për fabrika konkrete që mbeten me vende të lira pune, sepse njerëzit refuzojnë të punojnë, deklaroi ai.


Por, mes atyre që kanë mbetur jashtë, Rama pranoi se mund të ketë edhe familje vërtet në nevojë.


Jemi në proces verifikimi dhe rivlerësimi. Ka raste që nuk përputhet rezultati i skemës me familje në nevojë dhe do të gjendet rruga për ti përfshirë këto familje në këtë skemë, vijoi ai.


Sipas Kryeministrit, skema e ndihmës ekonomike po përdoret politikisht nga opozita. Në këtë fazë do të shikoni përditë histori manipulimi me këto raste, u shpreh Rama.


23 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)