Ashtu siç kishte lënë të kuptohej me deklaratat e tij, Presidenti Ilir Meta ka dekretuar kryeministrin Edi Rama si ministër të Jashtëm.


Lajmi bëhet i ditur nga burime të Presidencës, të cilat saktësojnë se Meta ka dekretuar shkarkimin e Bushatit nga ai post, duke i dhënë dritën jeshile kreut të qeverisë.


Vetë Meta kishte thënë se do të vendoste me qetësi, por pa dashuri, duke iu referuar dekretimit të mundshëm të Ramës për postin e ministrit të Jashtëm


Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, thotë se Presidentit të Republikës më datë 14 janar 2019, i është paraqitur propozimi i ri për emërimin e z. Edi Rama, Kryeministër edhe në funksionin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.


Emërimi i Kryeministrit edhe në detyrën e ministrit është një rast i veçantë, që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Presidenti i Republikës vlerësoi këtë propozim në përputhje me frymën që përcjell Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, duke bërë një interpretim të zgjeruar dhe fillestartë dispozitave kushtetuese, si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që, ushtrimi i detyrës së ministrit nga Kryeministri është një veprimtari shtetërore që shtrihet brenda sferës ekzekutive pjesë e kabinetit qeveritar, struktura e të cilit është në të drejtën e Kryeministrit për tu propozuar, thuhet në deklaratë.


Më tej nënvizohet se në shqyrtimin e këtij propozimi Presidenti i Republikës, në cilësinë e kreut të shtetit, ka mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare.


Kësisoj Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 93 dhe 98 pika 1 të Kushtetutës, sot më datë 18.01.2019, ka vendosur me Dekret që: Z.Ditmir Bushati ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, shkarkohet nga kjo detyrë dhe zoti Edi Rama, Kryeministër, emërohet edhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.


Meta refuzoi dekretimin e Gent Cakaj si ministër të Jashtëm, duke thënë se i propozuari nuk ka përvojë si dhe ka mbajtur qëndrime publike të papranueshme për çështjen e kufijve të Kosovës.


Po ashtu deklaroi se gjatë detyrës si zv.ministër i Jashtëm ka treguar mungesë të theksuar përgjegjshmërie.


18 janar 2019 (gazeta-Shqip.com)