27-10-2012 / Gazeta 55

Detyra kryesore që ndërkombëtarët presin të përmbushet nga opozita shqiptare është miratimi i 3 nismave ligjore, të cilat tashmë janë në parlament. Por Edi Rama po endet si një i arratisur politik, nga Baldushku në Maminas, në përpjekje për të folur për gomerë e për tranguj, veç që të mos votojë ligjet që i japin vendit statusin e kandidatit për në BE

Zbulohet sekreti “i madh” i Edi Ramës, i ruajtur me aq xhelozi në mbledhjen më të fundit të Asamblesë Kombëtare të PS-së, e zhvilluar pak ditë më parë në terr të fortë informativ. Sekreti kishte të bënte, jo aq me “programin” dhe “strategjinë” elektorale të PS-së, se sa me vënien në zbatim prej Edi Ramës të një mënyre të re, për një qëllim të vjetër. Mënyra e re ka të bëjë me “arratinë” fushave dhe arave, ndërsa qëllimi i vjetër ka të bëjë, me shmangien nga debati dhe votimi për ligjet që kërkojnë 3/5, si kushte që duhen përmbushur për integrimin në BE.
Turi më i fundit “turistik” i Edi Ramës startoi menjëherë pas mbledhjes më të fundit të Asamblesë Kombëtare ët PS-së. Nën pretekstin e “zbërthimit” të programit për “rilindjen e fshatit” Edi Rama në këto ditë të fundit, herë është shfaqur rrëzë ndonjë mullari në Baldushk të Tiranë, duke “i qarë halli” fermerëve pse bari që vjen nga Maqedoni “po mbyt konkurrencën”, ndërsa paradoksalisht një fermer-bashkëbisedues krenohej me sasitë e mëdha të sipërfaqeve të mbjella me jonxhë... Dhe herë shfaqet duke vizituar dhitë shyta në Stërbeq të Malësisë së Madhe, duke “i qarë hallin” fermerëve që nuk kultivojnë bimë narkotike, pse fitimi prej tyre llogaritet në 20 mijë dollarë për hektarë... Dhe çudia më e madhe e Edi Ramës ndodhi dje në Maminas, ku “i qante hallin” gomarit, i cili gjithë ditën e ditës lodhej duke mbajtur ujë, pse ndoshta fermerit-prona të gomarit i bie më lirë të mbajë “taksinë e ujit” dhe ndonjë autoeveturë për tu kapardisur, se sa të blejë një mjet pune apo transporti, apo, apo të shtrijë një linjë për vaditjen e ujitjen...
Po e gjithë ky tur “turistik” i Edi Ramës e kë një të mirë, që kreut të PS-së “nuk ia nxë goja” ta përmendë... Rrugët e fshatrave ku ai po gjezdis, të shtruara e të asfaltuara e kanë “çarmatosur” nga një argument për “rilindjen e fshatit”.
Kur koha për përmbushjen e detyrimeve për një tjetër hap në rrugën e integrimit në BE po skadon dhe detyrimi për votimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 po ngushtohet, zgjedhja e Edi Ramës për të shmangur vëmendjen nga këto debate e votime, duke u marrë me mullarët e Baldushkut, dhitë shyta të Stërbeqit, apo gomerët e Maminasit, është thjesht dhe vetëm “e paparë dhe e padëgjuar”. Këtë vetëm Edi Rama mund ta bëjë. Sepse këtë di të bëjë më mirë..., bllokimin.
Pengmarrja e votimit të ligjeve që kërkojnë 3/5, nën pretekstin i zgjidhjes së “problemit të madh” të Qarkut të Fierit, e tejkaloi afatin e skadencës si argument. Ndaj Edi Rama, me shpresën e mbushjes së axhentës së tij politike, duke u marrë me mullarët e Baldushkut, dhitë shyta të Stërbeqit, apo gomerët e Mainasit, beson se i ka dhënë vetes një tjetër argument të fortë në duar, duke “i mbushur mendjen vetes”, se para detyrimeve për përmbushjen e kushteve për integrimin në BE, janë mullarët e Baldushkut, dhitë shyta të Stërbeqit, apo gomerët e Maminasit...

...