rama-blushi-tahiri"...Nuk kam asnjë dëshirë të hyj në një diskutim të tillë. Merrem me parimin... Nuk merrem normalisht sepse unë i kam duart të dyja të zëna me punë... Nuk besoj që të mirën e PS-së e duan ata që e shajnë PS-në...Kjo është farsë e gjitha dhe nuk ka lidhje me mua..."

Fillimisht, Kryeministri Edi Rama sqaroi në intervistën e tij dhënë gazetares Rudina Xhunga në emisionin "Dritare" në Vizion Plus, se Shqipëria dhe qeveria që ai drejton ka dalë më e respektuar nga administrata amerikane pas debatit për armët kimike.

Duke mbetur te marrëdhëniet me SHBA-në, Rama u pyet gjatë për vizitën e Sekretarit amerikan John Kerry dhe mesazhet që ky i fundit përcolli. Rama theksoi se sot Shqipëria shikohet me një sy tjetër, ndërsa dha një përgjigje shpotitëse për Presidentin e Republikës Bujar Nishani dhe rrëmujën që u krijua në këtë rast me protokollin.

I pyetur për pritjen që Nishani i bëri Kerrit në shkallët e avionit, Rama fillimisht u përgjigj: "Nuk kam dëshirë ta komentoj. Ai është Presidenti i Shqipërisë, është edhe i imi kur takon këdo qoftë...".

Por më tej ai shtoi: "Nuk do të kisha dashur që presidentin tim ta shikoja duke bërë shefin e protokollit në Rinas..."

Kryeministri Rama u pyet edhe për mungesën e një takimi mes sekretarit amerikan dhe kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

"Pse duhet të ishte Meta...? Nuk është në praktikën protokollare të Sekretarit të shtetit që të takojë kryetarin e Kuvendit. Pse duhet të ketë të bëjë me Ilir Metën?. Do të ishte e çuditshme nëse do të vinte presidenti i Senatit dhe të mos takonte Metën...Nuk ishte në axhendë për të bërë një vizitë edhe te presidenti i Republikës. Është çështje protokolli", - u përgjigj Rama.

Kreu i ekzekutivit sqaroi gjithashtu edhe arsyet se pse ai mori Pandeli Majkon në takimin me Sekretarin e Shtetit. Rama tha se Majko ishte në cilësinë e kryetarit të komisionit parlamentar të Miqësisë mes Shqipërisë dhe SHBA-së, si dhe në cilësinë e një ish-kryeministri që ka në jetëshkrimin e tij diçka krejt të veçantë dhe të lidhur ngushtësisht me historitë e marrëdhënieve tona me SHBA-në.

Drejtësia dhe Byroja e Hetimit

Kryeministri i tha mbrëmë gazetares Xhunga, se Reforma në Drejtësi i ka të gjitha kushtet që të kalojë brenda marsit.

"Ky është një objektiv i përbashkët i imi, i partnerëve tanë amerikanë që paketa e ndryshimeve kushtetuese të kalojë brenda marsit. Kjo lidhet jo thjesht me pranverën, por me procesin tonë të integrimit europian dhe me ç'ka do të ndodhë në Bruksel në prill dhe maj, ku Komisioni Europian do të konsiderojë përmes një raporti të ndërmjetëm procesin e jetësimit të prioriteteve kyçe për të shqyrtuar mundësinë e propozimit që të hapë negociatat me Shqipërinë. Kjo është e mjaftueshme që çdokush në këtë vend dhe jo më kryetari i opozitës, të mundësojë që kjo pjesë e reformës të kalojë...".

Rama vazhdon t'i mëshojë qëndrimit të tij edhe për Byronë e Hetimit, duke theksuar se drafti që ka kaluar në qeveri ka qenë plotësisht i dakordësuar me opozitën.

"Ky është një draft i dakordësuar. Nëse ambasada do të japë përgjigje tjetër, që drafti i çuar nga qeveria në Kuvend nuk është drafti i dakordësuar 100% nga PD me Saliun dhe me administratorin Basha, atëherë jam unë që gënjej". Lidhur me marrëdhëniet e tij me Ilir Metën, kryeministri Rama sqaroi se ata janë në një koalicion ku "kemi padyshim debate dhe momente ku gjërat i shikojmë ndryshe".

"Kemi padyshim shumë gjëra që na dallojnë, se përndryshe do të ishim një parti. Kjo është krejt normale", - tha ai. Rama saktësoi sërish se e vetmja gjë që do ta ndante si koalicion do të ishin pengesat për reformat e thella.

Akuzat për të vëllain

Kryeministri Rama mohoi çdo akuzë të opozitës drejtuar të vëllait Olsi Rama, duke u shprehur se për të, ai "vinte dorën në zjarr". Rama mori si shembull akuzat që atij i janë adresuar ndër vite nga politika. "...Që nga të qenit homoseksual, që mund edhe të kisha qenë, por nuk jam edhe pse nuk është asgjë kriminale të jesh, deri te padrino, te pastrues i parave etj.".

Lidhur me akuzat drejtuar Vilma Nushit apo Koço Kokëdhimës, Rama tha se ata kanë qenë njerëz të suksesshëm që para se ai të merrej me politikë.

Qeveria dhe Blushi

Kryeministri Edi Rama nuk beson te teoria e riformatimeve.

"Është një teori që nuk i besoj, ndërkohë që nuk ka asnjë ministër që mund të rrijë nëse nuk justifikon punën. Deri tani të gjithë e kanë justifikuar realisht dhe plotësisht...", - tha ai.

Rama u pyet edhe për qëndrimet e Blushit për garën në PS dhe akuzat që ai ka adresuar.

I pyetur se a mund të ketë garë për kreun e PS-së, ai u përgjigj: "Kjo është një gjë që do ta vendosë kongresi, meqenëse ka një pretendim ndërkohë, që kjo nuk është një çështje në këndvështrimin tim...".

Rama tha se pse nuk u bënë zgjedhjet për kryetar në vitin 2013. "Nuk u bënë zgjedhjet sepse ne gjetëm një situatë shumë më alarmante nga ajo që lexonim nga jashtë dhe duhej me urgjencë që të thërrisnim FMN-në, që të mos ktheheshim prapë si në vitin 97'...", - tha ai.

Më tej Rama shtoi: "Unë e kam pikëpamjen time dhe nuk kam asnjë arsye vetjake personale që t'i shmangem çfarëdolloj sfide dhe cilitdo sfidanti, por kam respekt për njerëzit që më kanë votuar dhe për detyrën e madhe që kam mbi shpatulla, që nuk me lejon që të luaj...", - tha Rama, i cili nuk nguroi që debatin e Blushit ta cilësojë si lodër. "Kjo është një lodër dhe kohën për lodra ia kam rezervuar Zahos".

Por si e komenton ai ambicien e Blushit? "...Nuk kam asnjë dëshirë të hyj në një diskutim të tillë. Merrem me parimin... Nuk merrem normalisht sepse unë i kam duart të dyja të zëna me punë... Nuk besoj që të mirën e PS-së e duan ata që e shajnë PS-në...Kjo është farsë e gjitha dhe nuk ka lidhje me mua... ", tha ai.