Partia Socialiste krijon bordin e dialogut edhe në qytetin e Elbasanit. 

Një grup profesionistësh dhe intelektualësh të rinj kanë krijuar në qytetin e Elbasanit, bordin e dialogut të Partisë Socialiste me shoqërinë. Ky bord është i konceptuar si një urë lidhëse mes PSSH-së dhe komunitetit për të sjellë në forcën më të madhe të opozitës shqetësimet e qytetarëve dhe idetë e tyre, për të përçuar në mjedisin shoqëror frymën e politikës së re përtej të majtës e të djathtës, është Shqipëria me problemet e saj që kërkojnë zgjidhje prej 17 vitesh. Sipas kreut të PS-së, krijimi i një bordi të tillë mund të thithë qytetarët për dhënien e mendimeve. “Bordi i dialogut me Shoqërinë, është një strukturë tërësisht e re, jo vetëm për Partinë Socialiste, por është tërësisht e re për politikën shqiptare. Politika në Shqipëri nuk ka magnet për t’i tërhequr qytetaret dhe qytetarët, por përkundrazi, ka të gjitha ato cilësi të këqija, që mjaftojnë për t’i qëndruar asaj larg. Nga ana tjetër, duke i qëndruar asaj larg, jemi viktima të saj, pasi në fund të fundit, çdo gjë që ka të bëjë me jetën tonë ekonomike dhe shoqërore, shkon e lidhet tek cilësia e politikës”, deklaroi Rama në këtë takim.