Vlorë - Kryeministri Edi Rama ka prezantuar kandidatin e mazhorancës në Vlorë, Dritan Leli.

Atje ka vizituar edhe disa prej ndërtimeve infrastrukturore, për të cilat po punohet. Një prej tyre është By-pass-i i Vlorës, ndërtimi i të cilit kap një vlerë prej 35 milionë eurosh.

Investimi është kryer nga disa institucione ndërkombëtare si BEI, BERXH dhe IPA. Kryeministri u shpreh se me tre investimet e rëndësishme strategjike do të ndryshojë tërësisht konfiguracioni turistik dhe ekonomik i vendit, duke i bërë zonat turistike lehtësisht të arritshme, si dhe duke krijuar hapësira të reja ekonomike.

Përveç të tjerave, kryeministri shtoi se kjo rrugë do të jetë spektakolare për sa i takon aspektit ambiental dhe atij panoramik. "Me Transballkaniken nga një anë dhe me by-pass e Vlorës nga kjo anë dhe me rrugën e re të lumit të Vlorës së treti, bëjmë për Vlorën volumin më të madh të investimeve te përqendruara në territor, ne rang Republike.

"Faktikisht, me këto tre investime strategjike ndryshojmë tërësisht konfiguracionin turistik dhe ekonomik, pasi hapim hapësira të tëra ekonomike, turistike dhe padyshim, transformojmë tërësisht edhe qarkullimin e trafikut, duke krijuar kushte optimale për qytetin dhe për të gjithë zonën turistike, duke krijuar po ashtu, mundësi që të përballohet një fluks edhe me i madh se ç'parashikohet me rritjen e turizmit, por edhe me një presion shumë më të vogël mbi vendbanimet", tha Rama.

Një tjetër kantier pune vazhdon në Vlorë për zgjerimin e vijës së plazhit në një gjatësi prej 2 km përgjatë vijës bregdetare. Aktualisht po punohet për shtresëzimin e strukturës së brendshme dhe mbushjen me rërë të plazhit. Kryeministri Edi Rama ishte sot në këtë kantier. Zona ku po ndërhyhet shtrihet nga porti i Vlorës deri në afërsi të Tunelit në zonën e Ujit të Ftohtë. Një zonë është shumë e frekuentuar gjatë sezonit veror. Ky projekt do të përmirësoje plazhin ekzistues dhe të shtojë hapësira të reja.

Kryeministri Rama vlerësoi kandidatin e përzgjedhur, duke theksuar se ndryshimet do të vijnë që vitin e ardhshëm. "Dritani, me mbështetjen e fuqishme të qeverisë, do të jetë në gjendje ta kthejë Vlorën në drejtimin e duhur dhe të shfrytëzojë potencialet e kësaj zone", ka thënë Rama.


/GS/