Kryeministri i vendit, Edi Rama e ka nisur këtë të hënë me postimin e një drafti që e quan Platformën e bashkeqeverisjes me qytetarët shqiptarë


Me anë të një postimi në profiling e tij në Facebook, Rama i fton qytetarët shqiptarë të regjistrohen http://shqiperiaqeduam.al/ për tu bërë pjesë e bashkëqeverisjes me kritikat dhe sugjerimet e tyre.


MIRËMËNGJES

dhe me këtë draft të parë të Platformës së Bashkëqeverisjes ME TY PËR SHQIPËRINË QË DUAM, ku mirëpresim kritikat e sugjerimet tuaja për organizimin e platformës, ju uroj një javë të mbarë!


ram


Shqipëria që duam është një platformë e hapur komunikimi e ndërveprimi me qytetarët që do të shërbejë për tju dëgjuar në kohë reale për çështje të aktualitetit politik e qeverisës; për të diskutuar me ju reforma e masa të rëndësishme dhe mundësuar ndikimin tuaj mbi politikat qeverisëse në çdo sektor e mbi punën e çdo ministrie apo institucioni të varësisë; për të luftuar së bashku korrupsionin, evidentuar tepsixhinjtë apo parazitët e çdo niveli, duke i goditur me zero tolerancë e nxitur zgjidhjen e ndershme të problemeve komunitare apo vetjake të kujtdo prej jush.


Qeveria e re do të jetë në një koalicion real me njerëzit e zakonshëm që së bashku të rrëzojmë sa të mundim, muret qorre e shurdhe të godinave të shtetit, që nga bulevardi i Tiranës deri në çdo skaj të vendit.


Shqipëria që duam është mbi të majtën e mbi të djathtën. Shteti që duam është i qytetarëve, jo i pushtetarëve. Sfidat e Shqipërisë sot, nuk janë sfida socialiste apo sfida demokrate, por janë sfida shqiptare. Të vetëdijshëm për barrën e madhe të përgjegjësisë që na u besua, qeveria e re do të bashkëqeverisë me njerëzit e zakoshëm të këtij vendi në një përpjekje shqiptare, të përbashkët, për ta bërë Shqipërinë më të mirë.


(m.a/BalkanWeb)