Menjëherë pas kthimit nga Elbasani, ku zhvilloi një bashkëbisedim me dhjetëra studentët për Paktin për Universitetin, kryeministri Edi Rama ju drejtua godinës së Presidencës, për tu betuar si ministër i Jashtëm para Presidentit Ilir Meta.


Takimi në Presidencë ka zgjatur vetëm 6 minuta, me kamerat e mediave që nuk janë lejuar ta përcjellin live ceremoninë e betimit.


Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, e njëkohësisht Kryeministër, Sh. T. Z. Edi Rama, u betua sonte, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë. Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, duke i dorëzur dekretin, i uroi suksese në këtë detyrë shumë të rëndësishme. Në ceremoni ishte i pranishëm Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës, njoftoi zyra e shtypit pranë Presidencës.


Rama mori dje zyrtarisht detyrën e Kryediplomatit të Shqipërisë, sipas shembullit Tsipras, pasi Kuvendi votoi pro dekretit të Metës për shkarkimin e Ditmir Bushatit dhe zëvendësimit të tij me kryeministrin.

































Ky precedent, i pari në historinë e vendit, sipas Ramës ka qenë i detyruar pas ngërçit që u krijua me Gent Cakajn, i përzgjedhuri i shefit të qeverisë që u refuzua nga Kreu i Shtetit.


Ndërkohë në një prononcim për mediat jashtë sallës së Kuvendit, Rama sqaroi dje se lufta me Metën sapo ka nisur, pasi çështja e refuzimit të dekreteve nga Kreu i Shtetit ka shtyrë PS që ti adresohet Gjykatës Kushtetuese dhe për këtë janë përgatitur një sërë padish që pritet të dorëzohen së shpejti.


Dua të them se votimi i sotëm ishte rezultat i një zgjedhje të detyruar si pasojë e refuzimit të presidentit për të dekretuar ministrin e jashtëm dhe thënë kjo, dua ta bëj të qartë për gjithë opinionin se nuk ka një gjykatë Kushtetues ende dhe në pritej të formimit të Gjykatës Kushtetuese për të trajtuar në rrugë institucionale shkeljen e saj nga Presidenti. U detyrova të marr ketë vendim se projekti i qeverisë re nuk duhet të cenohet. Kemi përgatitur padi. Do të ketë një numër padish në Gjykatën Kushtetuese për Presidentin e Republikës, i cili ka marrë përsipër të punojë në kundërshtim me traditën e asaj zyre. Askush nuk e ka bërë këtë më parë, tha Rama.


Gazeta Shqip