Skrapar -Kryetari i Partisë Socialiste është ndalur në Skrapar në turin e tij, ku ka shpalosur edhe një herë idenë e bashkimit përtej së majtës dhe së djathtës, ide e cila në Shtetet e Bashkuara rezulton jo e suksesshme nga presidenti aktual Barack Obama nga ku është frymëzuar Rama. “Nuk kam ardhur këtu për ta ndarë, por për ta bashkuar Skraparin. Nuk kam ardhur këtu për t'ju thënë pse nuk duhet të shikoni majtas dhe djathtas, por kam ardhur për t'ju thënë pse duhet të shikojmë drejtë e përpara, për një politikë të re, e cila nuk është e politikanëve, por e qytetarëve. Bëhuni zëdhënës të nevojës për ndryshim, që edhe Skrapari si gjithë Shqipëria, ka nevojë për 18 vjet, duke u bërë lajmëtarë të rrugës së ndryshimit, se në Shqipëri nuk mund të duroni edhe 4 vite të tjera në keqqeverisje. Ne dhe ju së bashku, do ta bëjmë të mundur ndryshimin më 28 qershor dhe do ta garantojmë për 4 vjet me radhë, përmes një qeverie që do të jetë e juaja, me ju dhe për ju”-ju drejtua militantëve të PS-së të Skraparit.



Rama theksoi se së bashku do t'i japim përsëri rrugës ëndrrës evropiane të marrë peng nga politika e vjetër e interesave dhe pazareve personale majtas e djathtas.