Dy topa në fushën e Ilir Metës


Nga Mero Baze


Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Republikës Bujar Nishani, kanë relativizuar sot krizën politike në vend, duke e nxjerrë atë jashtë zyrave kryesore të shtetit shqiptar dhe duke e përqëndruar tek çadra e opozitës dhe tek zyrat e LSI. Përpjekjet për të shantazhuar qeverinë të dorëzohej para kërkesës për qeveri teknike, morën një përgjigje të fortë refuzuese, të inkurajuar dhe nga faktori ndërkombëtar, ndërsa shpresat se Presidenti i Republikës, do të përdorte të drejtën e dekretit, si një urë zjarri për të hedhur në erë institucionin kryesor të shtetit shqiptar, u shuan po ashtu, pas ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar në Presidencë.


E përbashkëta e dy akteve të së dielës pasdite, është nxjerrja  e krizës nga zyrat kryesore të shtetit shqiptar dhe çuarja e saj, atje ku ka nisur, tek çadra e opozitës dhe tek mbështetja që kjo çadër gjen nga një prej aleatëve kryesorë të qeverisë, LSI.


Më qartazi, topat kanë ngelur në fushën e Ilir Metës. I pari ia la Edi Rama. Me fjalimin e tij të parë të ashpër, të qartë, të vendosur, të pashpresë për kompromise antikushtetuese, dhe shumë larg të të ndjerit i shantazhuar, fjalimi i Edi Ramës për opozitën, ishte një kambanë që binte për veshët e Ilir Metës. Ai tha qartë se më 18 Qershor, shqiptarët do të dalin në zgjedhje dhe ata duan të shikojnë ofertat e partive politike. Ato parti që nuk duan të paraqesin ofertën e tyre, mund të mos e  bëjnë. Do ketë rast tjetër pas katër vjetësh dhe mund ta bëjnë.


Qëndrimi i prerë i Edi Ramës, e vë LSI në pozitë të vështirë, duke e detyruar ti japë fund lojës me dy fusha dhe dy topa. Ata janë tani përballë topit për ta gjuajtur. Ose do luajnë me qeverinë, ose me opozitën. Çdo vendim i tyre është i ligjshëm dhe vlen për të çliruar energji për zgjidhjen e krizës. Edhe nëse bashkohet me opozitën, ai mund të jetë promotor i zgjidhjes së krizës. Edhe nëse qëndron me qeverinë, mund ta jetë faktor i zgjidhjes së krizës. I vetmi pozicion i papranueshëm i LSI, është ky që është aktualisht, me një këmbë në çadër dhe me një këmbë në qeveri.


I dyti që ia la në derë topin në fushën e saj LSI, ishte Bujar Nishani. I gjendur nën presionin e Berishës, Bashës por dhe LSI, kundër emërimit të Fatmir Xhafajt, Bujar Nishani u përball po ashtu me leximin e Kushtetutës nga faktori Perëndimor në Tiranë, që i ka kujtuar atij, se i vetmi standard që duhet të plotësojë një Minister, është të qenit deputet dhe si i tillë nuk mund ta refuzosh. Dhe Bujar Nishani, duket se u detyrua ta lexojë Kushtetutën sipas Lu dhe ta mbajë fjalimin sipas Lulit.


Ai e çoi Xhafajn në Kuvend dhe LSI duhet të dëshmojë tani me votën e saj, nëse i qëndron fjalëve që pëshpëriten tek çadra, apo fjalimeve publike pro qeverisë. Kështu që LSI është në provë qoftë për tiu kundërvënë Ramës për fjalimin që mbajti, duke ikur nga qeveria, dhe duke ju bashkuar çadrës, qoftë dhe duke hedhur poshtë dekretin e Nishanit për Xhafajn. E vetmja gjë e ndaluar dhe në këtë rast, është të bëjnë atë që bëri Nishani, e të thonë që nuk na pëlqen ky Fatmir Xhafaj, por do ta votojmë.


Dy qëndrimet e fundit, ai i Kryeministrit dhe i Presidentit të vendit, tregon se kriza ngeli jashtë dy institucioneve kryesore të shtetit shqiptar dhe tani është thjeshtë një betejë politike dhe luftë nervash. Faktori ndërkombëtar, është qartazi në anën e ruajtjes së institucioneve të shtetit nga virusi i krizës dhe kundër çdo loje me 18 Qershorin.


Opozita duhet të ribëjë llogaritë e saj, me, apo pa ata, me të cilët i ka nisur këto llogari dhe të marrë një vendim. Pasi nëse nuk ka ofertë të PD më 18 Qershor të 2017, në Qershor të 2021, mund të mos ketë as PD.