Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë të enjten drejt Italisë për një vizitë pune dhe pasdite do te pritet nga kryeministri italian Enrico Letta. Lajmin e bejne me dije mediat italiane, duke iu referuar nje komunikate shtypi nga qeveria.


Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i shoqëruar nga një delegacion i gjerë qeveritar, do të jetë nesër në Itali. Në orën 9.00 në Bari, kryeministri shqiptar do të ketë një takim me guvernatorin e Puglias Nichi Vendola. Më pas, së bashku do të marrin pjesë në konferencën mbi Alterenergy, projekt i rëndësishëm për kooperimin mes Shqipërisë dhe Puglies.Është një takim i një rëndësie strategjike dhe hedh bazat për bashkëpunim të gjerë mes dy brigjeve të Adriatikut mbi temat e energjisë nga burime të ripërtëritshme, të domosdoshme për zhvillimin e qëndrueshëm të territoreve tona- citojnë mediat italiane Silvia Godellin, drejtoreshë e zyrës për Mesdheun dhe veprimtaritë kulturore së Krahinës.


Pasdite, Rama do të jetë në Romë, në orën 14.30 do të ketë takime në Confindustria, ndërsa në orën 18.00 do të takojë kryeministrin italian Enrico Letta. Pas takimit dy Kryeministrat do të mbajnë një konferencë për shtyp.


Vizita e Ramës në Itali u parapri nga nje takim qe Rama zhvilloi me 5 dhjetor me sipermarresit italiane, gjatë të cilit lajmëroi krijimin e një grupi deputetësh, të cilët kanë detyrimin, përgjegjësinë dhe dëshirën të marrin pjesë personalisht në këtë nismë, duke prezantuar në Itali, Shqipërinë dhe mundësitë që ofon për investime.