Në fillim Partizani, më pas përfaqësuesja e 21-vjeçarëve, transferimi në Danimarka te skuadra Velje, nën drejtimin e Sormanit dhe tani ftesa në Kombëtaren A. Ylber Ramadani i ka kaluar të gjitha etapat për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi dhe tashmë që ka marrë ftesë nga Panucci, mendon vetëm për tia shpërblyer besimin trajnerit.


Ëndrra e fëmijërisë


Çdo lojtar ka dëshirë të luajë nga minuta e parë. Trajneri vendos. Grupi është shumë i mirë dhe i harmonizuar. Nuk është problem kush luan titullar. Dua ta falënderoj trajnerin për besimin që më ka dhënë dhe unë dua tia shpërblej. Nëse futem në fushë do të jap maksimumin, pastaj Panucci do të vendosë nëse do të jem na vazhdimësi. E kam pritur që kur isha fëmijë ftesën në kombëtare.


Konkurrenca dhe Sormani


Konkurrenca është e fortë dhe kjo është e mirë. Do të bëj maksimumin që një ditë të luaj titullar. Ende nuk dihet se kush do të luajë ndaj Norvegjisë, por do të më vinte mirë nëse do të jem që nga minuta e parë. Trajneri Sormami ka punuar shumë me mua në Danimarka. Sormani dhe Panucci janë të ngjashëm. Te Kombëtarja A ka më shumë përgjegjësi se U-21. Te Shpresa na ka munguar disi fati, por këtu është më shumë përgjegjësi.


Fitore për moral


Po punojmë që të jemi mirë fizikisht. Do të futemi në fushë për të fituar me Norvegjinë dhe për moralin e ekipit. Duhet të impenjohemi dhe të mendojmë edhe për të ardhmen.


22 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)