Ishte një duartrokitje e zgjatur dhe e zjarrtë, ajo që publiku në Operan shtetërore të Sofjes dhuroi për sopranon shqiptare, Ramona Tullumani, mbrëmjen e së dielës.


Soprano e njohur interpretoi me sukses në rolin e Violetës në operan La Traviata përpara publikut bullgar, duke marrë vlerësime të shumta.


Për Tullumanin ishte hera e katërt që me zërin dhe lojën e saj skenike, në një nga kryeveprat e Xhuzepe Verdit, pushton publikun bullgar.


Ata admiruan për rreth 3 orë tingujt e mrekullueshëm të Verdit, të koordinuar me mjeshtri me zërin e sopranos shqiptare dhe këngëtarëve të tjerë lirikë.



Salla e mbushur plot e Teatrit të Operas e Baletit të Sofjes do të shpërthente në duartrokitje pas arieve kryesore dhe në mbyllje të çdo akti.


E lumtur pa fund për duartrokitjet dhe vlerësimet pas shfaqjes. Ishte kënaqësi të dëgjoja nga emra të njohur të muzikës klasike se një shqiptare tashmë është kthyer në Violetën e preferuar të Operas së Sofjes, u shpreh Tullumani e përlotur.


Ajo shtoi se ngrohtësia me të cilën është pritur nga publiku, që në shfaqjen e parë, është një detyrim i madh për tu rikthyer çdo herë në këtë skenë me një interpretim cilësor. Një falenderim të veçantë, soprano shqiptare ka edhe për stafin e Operas së Sofjes dhe drejtorin e saj Plamen Kartalof.


Njerëzit që e duan artin bëjnë art të bukur, u shpreh soprano shqiptare.