TIRANE - Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është nderuar sot me titullin “Qytetar Nderi” i Bashkisë së Kamzës.

Kreu i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, deklaroi se “është nder i veçantë sot, që bashkia jonë do ta ketë qytetar të sajin të nderit, njeriun që mbi të gjitha zgjodhi atdheun, në ditët kur më së shumti duhej angazhimi i secilit shqiptar për vendin dhe kombin e tij”.

“Ramush Haradinaj nuk është vetëm nderi i Kamzës apo secilit qytet të Shqipërisë, por ai është nderi i kombit dhe figura e çmuar dhe e respektuar e kohës kur shqiptarët në Kosovë iu dhanë vulë përpjekjeve njëshekullore për lirinë dhe pavarësinë", - tha Mziu.

Nga ana e tij, kreu i AAK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha se ndihet i nderuar që po merr këtë çmim nga Bashkia e Kamzës.

"Ky është nder jo vetëm për mua, por për ish-bashkëluftëtarët e mi, Kosovën dhe popullin tonë", - tha kryetari Haradinaj.

Ai vlerësoi edhe një herë ndihmën që Shqipëria, qeveria shqiptare dhe populli shqiptar që dhanë për Kosovën në vitet e luftës për liri, si në mbështetjen e luftëtarëve të Kosovës, ashtu edhe në strehimin dhe ndihmën për të gjithë ata të zhvendosur në vitet e luftës 1998/99. 

(BalkanWeb)