Raporti evidenton zgjedhjet larg standardeve të larta, politizimin e administratës publike si dhe luftën e pakët ndaj krimit dhe korrupsionit







"Për Gërdecin është i nevojshëm një proces i lirë dhe transparent që të dënojë të gjithë personat përgjegjës, pavarësisht pozicionit të tyre"





TIRANË - Progres - raporti që analizon të gjitha fushat dhe veprimtarinë e institucioneve kryesore shqiptare për 12 muajt e fundit, ka nxjerrë në pah problematikat, që lidhen me kriterin politik, ekonomik, si dhe luftën e pakët që është bërë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Zgjedhjet pa standarde të Qershorit, tendenca e kontrollit të qeverisë ndaj institucioneve të pavarura si dhe politizimi i administratës publike mbeten ende problemet që vijojnë të pasqyrohen me kriticizëm nga Komisioni Evropian.



Zgjedhjet

Sipas raportit, zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009 përmbushën shumicën e standardeve evropiane, por ato nuk realizuan plotësisht potencialin e Shqipërisë për të arritur standardet më të larta demokratike. Raporti evidenton se problemet teknike, siç është edhe numërimi i votave, mbeten çështje që duhen përmirësuar. Në progres - raportin e paraqitur, Komisioni Evropian vë në dukje se kultura e dialogut mes forcave kryesore politike u prish përpara zgjedhjeve parlamentare. Kjo, sipas raportit, pengoi zbatimin e shumë reformave juridike.



Drejtësia

Shqipëria duhet të përparojë më shumë, sidomos për sa i përket shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Komisioni vë në dukje se autoritetet vazhdojnë të bëjnë përpjekje për të luftuar korrupsionin, ekziston legjislacioni dhe organet e duhura, por zbatimi nuk është në nivelin e duhur. Sipas raportit, angazhimi i autoriteteve për të goditur korrupsionin nuk është mbështetur nga zbatimi konsistent i legjislacionit. Pavarësia e institucioneve shtetërore, sidomos e atyre të gjyqësorit, duhet të përforcohet më tej. Kështu, raporti evidenton se marrëdhëniet mes institucioneve shtetërore vazhdojnë të jenë herë pas here të vështira. "Tendenca e ekzekutivit - thuhet në raport- për të ushtruar kontroll ndaj institucioneve të pavarura, në veçanti ndaj atyre të drejtësisë ngre shqetësime". Sipas raportit, sistemi i drejtësisë vazhdon të funksionojë keq për shkak të të metave në pavarësinë, transparencën dhe efikasitetin.



Administrata Publike

Lidhur me veprimtarinë e administratës publike, progres - raporti konstaton se në këtë sektor është bërë shumë pak progres. Sipas raportit, kapaciteti administrativ i Departamentit të Administratës Publike mbetet i dobët. Komisioni Evropian bën të ditur në raport, se rekrutimi në administratën publike vazhdon të bëhet përmes procedurave jotransparente. Raporti evidenton faktin se gjatë vitit të fundit janë vënë re lëvizje politike në administratën publike, ndonëse në një numër më të ulët. Vendet e lira, sipas raportit, mbushen me punonjës me kontrata të përkohshme që shkojnë deri në 20% të të gjitha vendeve bosh. Kjo praktikë sipas Komisionit Evropian, pengon zbatimin e ligjit për statusin e nëpunësit civil dhe krijon kushte për politizimin e administratës publike.



Gërdeci

Komisioni Evropian në progres - raportin e tij, konstaton se është bërë një progres i vogël në kompletimin e bazës ligjore për reformën në sistemin e drejtësisë. Në raport përmendet edhe procesi gjyqësor për çështjen e Gërdecit dhe pushimi i gjykimit për ish ministrin e mbrojtjes, Fatmir Mediu, për shkak të imunitetit të tij parlamentar. Sipas progres - raportit, për të siguruar besueshmërisë në luftën ndaj korrupsionit, është i nevojshëm një proces i lirë dhe transparent, që të dënojë të gjithë personat përgjegjës, pavarësisht pozicionit të tyre.



Kriteret ekonomikë

Në bazë të raportit, ekonomia shqiptare ka bërë hapa të mëtejshëm drejt një ekonomie tregu funksionuese. Por, në mënyrë që të jetë e aftë t'u bëjë ballë presioneve konkurruese në një periudhë afatmesme dhe forcave të tregut brenda BE-së, Shqipëria duhet të reformojë dhe të fuqizojë sistemin e saj ligjor, si dhe të trajtojë mangësitë në infrastrukturë dhe kapital njerëzor. Raporti evidenton se problemet që lidhen me shtetin e së drejtës, niveli i dobët i infrastrukturës dhe ekonomia informale në shkallë të lartë mbeten sfida për zhvillimin ekonomik dhe klimën e biznesit.