Bordi Ndërkombëtar i Kontrollit të Drogave publikoi raportin vjetor. Shqipëria zë vendin e dytë në Europë. Rrjetet e heroinës dhe të kokainës


Albert Gjoka



Shqipëria është një nga vendet e para në Europë që kultivon Canabis sativa, gjë që bëhet edhe në terrene publike. Një fakt i tillë është pohuar në raportin vjetor të Bordit Ndërkombëtar të Kontrollit të Drogave për vitin 2008, i bërë publik dy ditë më parë. Sipas tij, vendi listohet në krye të Europës Qendrore dhe Lindore për sasinë e kultivimit të kësaj lënde narkotike. Po ashtu, në raportin vjetor që përmban të dhënat deri në nëntor të vitit të kaluar thuhet qartë se Shqipëria është pjesë e rrjetit jugor ballkanik të trafikimit të drogave të forta nga Lindja drejt Perëndimit. Një tjetër sinjal që japin ekspertët e Kombeve të Bashkuara është shtimi i substancave që përdoren për prodhimin e drogave sintetike, për të cilat qeveritë e rajonit duhet të marrin masa urgjente.

Canabis në Shqipëri dhe Europë

“Në vendet e Europës Lindore dhe Qendrore, Shqipëria është vendi ku kultivohet më shumë bima e Canabisit”, - thuhet në raportin vjetor të Bordit Ndërkombëtar të Kontrollit të Narkotikëve. Sipas statistikave të këtij institucioni, pas vendit tonë vijnë: Mali i Zi, Moldavia, Serbia, Maqedonia dhe Ukraina. “Të dhënat për Shqipërinë flasin se parcelat e Canabisit janë kultivuar në terrene publike”, - thotë raporti, gjë që nuk konstatohet në shtete të tjera. Europa është rajoni me tregun më të madh të paligjshëm edhe për rrëshirën e Canabisit.

Bordi thotë se përdoruesit më të shumtë të Canabisit në Europë janë në Danimarkë, Francë, Itali dhe Britaninë e Madhe. Canabis është droga me të cilën abuzohet më gjerësisht në Europë. Sipas Qendrës Europiane për Monitorimin dhe të Droguarit, rreth 71 milionë njerëz të moshave 15-64 vjeç kanë provuar Canabis gjatë gjithë jetës së tyre dhe rreth 7% e përdorin atë për shumë vite.

Rrjetet e kokainës dhe heroinës

Europa mbetet tregu i dytë më i madh i kokainës në botë. Trafikimi i kokainës përmes Europës Lindore drejt Europës Perëndimore është rritur në mënyrë domethënëse gjatë viteve të fundit. Shuma totale e kokainës së konfiskuar në Europën Lindore është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme gjatë vitit 2007, kryesisht, si rezultat i kapjes së sasisë prej 480 kilogram nga zyrtarët e doganave në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Rritja e numrit të ngarkesave të kokainës nga Amerika e Jugut te vendet e Europës Lindore është pjesë e një zhvillimi të ri në trafikimin e kokainës. Gjithnjë e më shumë sasi kokaine po futet në Perëndim, duke kaluar nga Europa Lindore. Trafikantët përdorin linjën që është përdorur deri tani për trafikun e lëndëve të tjera narkotike, duke kaluar përmes Ballkanit.

Ndërsa përdorimi i heroinës në tregjet e ndaluara të Europës e ka zanafillën në Afganistan dhe futet brenda saj përmes dy rrjeteve kryesore: njëri është rrjeti ballkanik, apo e ashtuquajtura “linja e mëndafshtë”, - rruga Azi Qendrore, brenda Federatës Ruse dhe nga atje te vendet në Europë. Linja e Ballkanit vazhdon të mbetet rruga kryesore që përdoret për trafikimin e heroinës nga Europa Lindore për t’u hedhur në atë Perëndimore. I ashtuquajturi rrjeti ballkanik verior kalon përmes Turqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë dhe më pas Austrisë. Ky rrjet është përdorur në mënyrë të shpeshtë gjatë vitit 2007. Këtë e tregojnë të dhënat sipas të cilave ka kaluar përmes kësaj rruge më shumë se 2.5 tonë heroinë për një vit. I ashtuquajturi rrjeti jugor ballkanik e ka kokën nga Greqia, përmes Shqipërisë dhe veç kësaj edhe Maqedonisë drejt Italisë. Kjo linjë duket se është përdorur më pak nga trafikantët gjatë vitit 2007 se sa në vitet e kaluara.

Përpunimi dhe konsumi i drogave

Europa mbetet rajoni me tregun e dytë më të madh në botë për lëndë narkotike. Në Europën Lindore, tregu i paligjshëm i narkotikëve ka vazhduar të zgjerohet. Sipas përllogaritjeve të UNODOC, në këtë rajon ka 2 milionë përdorues të lëndëve narkotike. Statistikat flasin për shifra të njëjta ose në rënie të numrit të përdoruesve në Europën Qendrore apo Perëndimore dhe për rritje në Federatën Ruse apo në vendet e tjera të Lindjes dhe Juglindjes. Raporti i BNKD-së thotë se “në Europën Perëndimore mbetet problem shtimi i ndjeshëm i numrit të të rinjve që përdorin heroinën”. Një tjetër problem që konstaton bordi është se “vazhdon të rritet numri i fabrikave të ndaluara që përgatisin drogat sintetike në Europën Qendrore dhe Lindore. Vetëm Rusia ka 57% të numrit të laboratorëve në të gjithë Europën. Laboratore ka edhe në Çeki, si dhe në Bullgari, Lituani, Moldavi, Sllovaki dhe Ukrainë.

E njëjta gjë është me anhidritin acetik, që përdoret në prodhimin e paligjshëm të heroinës që kalon në të njëjtat linja nga Afganistani, Europa Juglindore dhe Lindore. Bordi kërkon nga qeveria që të zbatojë Rezolutën 1817 të miratuar në vitin 2008 nga Këshilli i Sigurimit.

Disa raporte të agjencisë apo institucioneve të specializuara e kanë ngritur si shqetësim kultivimin e lëndëve narkotike të ndaluara në Shqipëri, si dhe kthimin e vendit në një pikë tranziti për trafikimin e drogave të llojeve të ndryshme nga Lindja drejt Perëndimit. Përsa i përket kultivimit të Canabisit, Shqipëria ka marrë një “njollë të zezë” me Lazaratin në Jug të vendit. Ndërsa këtë vit pati edhe zona të tjera si Vlora, Shkodra apo ndonjë rreth tjetër, ku u shtua në mënyrë të ndjeshme kultivimi i lëndëve narkotike nga shqiptarët.







Italia, me një plan të ri veprimi



Në janar të vitit 2008, qeveria italiane adoptoi një plan të ri kundër drogës që mbulon pesë fusha: koordinimin, reduktimin e kërkesës, reduktimin e furnizimit, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe informacionin dhe trajnimin, kërkimin dhe zhvillimin. Plani përfshin 66 masa të parashikuara për t’u zbatuar në vitin 2008 dhe që do të pasohet nga një tjetër plan për një periudhë 4-vjeçare 2009-2012.













REKOMANDIME



Qeveritë duhet të sigurojnë zbatimin më efektiv të konventave ndërkombëtare për kontrollin e drogës.



Qeveritë duhet të bëjnë investime më të mëdha në parandalimin e drogës, sidomos te të rinjtë apo shtresat e varfra.



Qeveritë duhet të studiojnë dhe riparojnë mospërputhjet e ligjeve të brendshme me konventat ndërkombëtare.



Qeveritë duhet të studiojnë modelet e panaireve tregtare për të pasur akses në produktet që përmbajnë lëndë narkotike.



Qeveritë duhet të miratojnë dhe përdorin konventat ndërkombëtare për ndalimin e shpërndarjes së drogës përmes internetit.



Bordi nxit qeveritë që të mbështesin nismat shumëpalëshe për të luftuar kundër krimit elektronik (cybercrime).







Viti 2009 shënon 100-vjetorin e ndalimit publik të drogës



Viti 2009 shënon 100-vjetorin e ndalimit ligjor të përdorimit të drogës në të gjithë botën. Deri në atë kohë, droga përdorej në shkallë të gjerë dhe me përdorimin e saj abuzohej. Në Kinë konsumohej një lloj droge e ngjashme me morfinën, në një sasi prej 3000 tonë në vit, ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 90% e drogës përdorej për arsye jomjekësore. Për herë të parë, në vitin 1909 u mblodh në Shangai Komisioni Ndërkombëtar i Opiumit, i cili shënoi fundin e dekadës së heshtjes në drejtim të problemeve që po u shkaktonte droga njerëzve në mbarë botën. Sot ka tri konventa kryesore ndërkombëtare për kontrollin e drogës: “Konventa unike për drogat” e vitit 1961, “Konventa e substancave psikotropike” e vitit 1971 dhe “Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër ndalimit të trafikimit për drogat dhe substancat psikotropike”. Rreth 95 për qind e shteteve anëtare të OKB-së i kanë pranuar këto marrëveshje ndërkombëtare. “Rregullat dhe ligjet kundër drogës nuk janë ilaç që shërojnë sëmundjet. Ato, të vetme, nuk mund të parandalojnë trafikimin apo abuzimin e drogës”, - thotë presidenti i Bordit Ndërkombëtar të Kontrollit të Narkotikëve, Hamid Godse (Hamid Ghodse) në parathënien e raportit të këtij viti.









21 Shkurt 2009