Raporti më i ri i progresit pasqyron gjendjen reale në Kosovë, thonë përfaqësuesit politikë në Prishtinë.

Ndonëse ende nuk është bërë zyrtarisht publik, përmbajtja e këtij raporti është është bërë i ditur në mediat kosovare.

Konstatimi se Serbia po luan rol destruktiv, duke mbajtur struktura paralele në Kosovë, përshëndetet nga politikanët në Prishtinë, ndërkaq shihet si shumë shqetësues fakti që nxjerr raporti për shkallën e lartë të korrupsionit.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha për “Radion Evropa e Lirë” se ende nuk e ka lexuar raportin final, por pavarësisht përmbajtjes, ai u zotua se Qeveria e Kosovës do t’i përmbushë të gjitha obligimet që dalin si sfida nga përmbajtja e këtij raporti.

“Raporti gjithsesi do të jetë më pozitiv, sesa vitet e kaluara. Do të shihet qartë se cilat kanë qenë të arriturat edhe në fushën legjislative, politike, ekonomike dhe atë të standardeve evropiane, por do të shihen edhe sfidat që kanë mbetur”, deklaron zëvendëskryeministri Kuçi.