Tiranë -Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka reaguar sot ndaj raportit të Departamentit amerikan të Shtetit mbi të Drejtat e Njeriut për Shqipërinë për vitin 2008. Sipas Metës, ky raport është një shuplakë e fortë për Sali Berishën dhe keqqeverisjen e tij. Meta ka paralajmëruar nisjen e një fushate kundër Berishës, e cila do të fillojë në 15 mars para kryeministrisë. “Unë ju bëj thirrje jo vetëm anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI, por të gjithë opozitarëve, që në 15 Mars të gjithë të bashkohemi nën moton: “Berisha Ik”, pasdite në hapësirën mes sheshit “Nënë Tereza” dhe Kryeministrisë, për të nisur fushatën e largimit të Sali Berishës nga drejtimi i Qeverisë së vendit”-tha Meta gjatë një konference për shtyp.



“Ashtu siç konkludon Raporti, ne kemi denoncuar korrupsionin e madh të përhapur në vend, si pengesë për çdo Reformë, e sidomos korrupsionin me tokat dhe pronat, një dështim i madh i kësaj Qeverie dhe një pengesë reale për zhvillimin dhe integrimin e vendit. Njëkohësisht, kemi denoncuar dështimin e Berishës dhe Qeverisë së tij në luftën kundër korrupsionit dhe trafiqeve, sidomos trafikimit të grave e fëmijëve. Kjo panoramë, që sjell edhe raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit nuk mund të shërbejë as si një moment reflektimi për Berishën, sepse ai tashmë e ka ezuruar shansin e tij për të ndryshuar”-theksoi Meta.



Sipas kreut të LSI-së, zgjedhjet e 28 Qershorit tashmë janë shansi i shqiptarëve për të hequr nga qeverisja një Kryeministër të papërgjegjshëm, që ka nxirë edhe imazhin ndërkombëtar të vendit.