Autori i Lajmit: red.
Gjinjtë janë gjëndra qumështi, çift, të vendosura në muskujt e kraharorit, në mes të brinjës së tretë dhe të gjashtë. Deri në moshën 8-10 vjeçare zhvillimi i tyre është i njëjtë si te djemtë, ashtu edhe te vajzat. Pas kësaj kohe, për shkak të veprimit të hormoneve, të cilat prodhohen në vezore, te femrat vazhdojnë dhe zhvillohen, ndërsa te meshkujt pushojnë së zhvilluari. Zhvillimi i tyre është nën veprimin e hormoneve seksuale (estrogjeneve dhe progesteronit). Në gjinj vazhdimisht kanë veprim hormonet seksuale, si për madhësinë, fryerjen dhe ndryshimet e tyre gjatë fazave të ciklit menstrual. Madhësia, forma dhe pozita e tyre varet nga raca, konstitucioni, veprimi hormonal dhe faktorët trashëgues. Gjinjtë tepër të mëdhenj, hipertrofik mund të arrijnë peshë nga 5-10 kg e më shumë. Mund të jetë i rritur vetëm njëri gji, por zakonisht janë të dyja. Te disa gra, kjo ndodh pas dhënies gji për një periudhë të gjatë dhe shumë lindjeve të cilat shkaktojnë lëshimin e tyre.

-Çfarë funksioni kanë gjinjtë? A ka sëmundje të gjinjve, nëse po, atëherë cilat janë sëmundjet më të shpeshta?

Gjinjtë janë gjendrra qumështi dhe ky është funksioni fiziologjik dhe kryesor i tyre. Mirëpo, pos këtij funksioni, ato paraqesin një ndryshim anatomik, që karakterizon bukurinë e femrës. Si çdo organ i njeriut, që mund t i nënshtrohet proceseve patologjike, edhe gjinjtë e kanë këtë mundësi. Sëmundjet e gjinjve ndahen në sëmundje inflamatore (pezmatime) dhe procese tumoroze.

-Çfarë janë sëmundjet inflamatore ose pezmatimet dhe cilat janë shenjat e pezmatimit të gjinjve?

Procesi i inflamacionit (pezmatimit) mund ta përfshijë tërë indin e gjirit (mastitis) ose thelbin e gjirit (thelitis). Në mbi 90% të rasteve, shkaktarët e infeksionit vijnë nga jashtë, sidomos gjatë periudhës së lehonisë. Shkaktar më të shpeshtë janë stafilokokët dhe streptokokët. Këto pezmatime paraqiten në fund të javës së parë të lehonisë. Shkaktarët e infeksioneve futen nga jashtë, përmes çarjeve për shkak të higjienës jo të mirë të gjinjve. Shenjë e parë është dhembja e lokalizuar në gjirin, të cilin e ka kapluar inflamacioni dhe atë në vendin ku ndodhet ky pezmatim. Më vonë, pas dhimbjeve, fillojnë të paraqiten edhe shenjat tjera lokale të inflamacionit si: skuqja e gjirit, tërheqje e lëkurës së vendit të inflamuar dhe ënjtje. Nëse nuk fillohet mjekimi menjëherë, pezmatimi përparon dhe kalon në proces qelbëzues ose absces. Nga shenjat e përgjithshme, lehona ka ethe-temperaturë të lartë dhe gjendje të përgjithshme të rëndë.

-Çfarë duhet të bëjë lehona e cila ka pezmatim dhe a duhet t i jipet fëmijës gji gjatë kësaj gjendjeje?

Që në fillim, gruaja duhet të paraqitet te mjeku, i cili do t i përshkruajë barnat përkatëse. Derisa të mos jetë paraqitur te mjeku, ajo mund të përdorë fasha të ftohta dhe ndonjë bar simptopatik (për temperaturë dhe dhimbje), pastaj mjeku i përshkruan terapinë përkatëse me antibiotikë. Nëse ka ardhur deri te formimi i qelbit (abses), atëherë duhet të bëhet një prerje dhe të largohet qelbi, por për këtë vendos mjeku. Në këtë kohë nuk mund t i jepet gji foshnjës, por laktacioni (mos-humbja e qumështit) mbahet duke e mjelur gjiri, derisa ai të mjekohet. Pas shërimit mund të vazhdohet me dhënien gji, edhe me gjirin që ka qenë i sëmurë.

-Si të parandalohen proceset pezmatuese?

Duhet t i kushtohet rëndësi higjienës së gjinjve në përgjithësi dhe në periudhën e laktacionit (dhënies gji) në veçanti. Të mos futen mjete të ndryshme në gji dhe më parë të pastrohen duart para dhënies gji fëmijës. Mundësisht, thithat të pastrohen para dhe pas dhënies gji foshnjes. Në rastet me çarje, mirë është që pas dhënies gji, thithat të lyhen me një antibiotik tubet psh. hidrokortizon. Nëse lehona ka shumë qumësht dhe foshnja nuk mund ta thithë gjithë sasinë, atëherë duhet që pjesa e mbetur, të mblidhet dhe të largohet.

-Ç është mastopatia dhe me çfarë manifestohet kjo sëmundje?

Kjo është një sëmundje e gjinjve, e cila ka shumë emra si: fibrosa cistike, masthopathia kronike, adenosis, fibroadenomatosis etj. Manifestohet me një hiperplazion (rritje) të gjinjve, e cila mund të përcillet me formimin ose jo të cisteve në gjinj. Nuk është sëmundje malinje. Kjo është sëmundje kronike dhe gati 50% e femrave vuajnë nga kjo patologji. Paraqitet te femrat e martuara dhe të pamartuara prej fëmijërisë e deri në pleqëri. Më e shpeshtë është nga mosha 20, deri në fillim të viteve 60-ta të jetës së femrës. Sëmundja manifestohet me dhembje dhe fryerje në njërën ose në të dy gjinjtë. Ankesat janë të lidhura me ciklin menstrual dhe zakonisht paraqiten disa ditë para menstruacioneve ose gjatë gjakderdhjeve menstruale. Në disa raste edhe gjatë ovulacionit. Kur fillojnë menstruacionet, pengesat shpejt pushojnë e ndodh të vazhdojnë derisa të mbarojnë menstruacionet. Gratë vetë palpojnë (prekin) formacione-nyje të forta sidomos në 1/4 e jashtme të gjinjve. Mendohet se shkaktohet nën veprimin e estrogjeneve (hormone seksuale femërore).

-Si mjekohet kjo sëmundje dhe a mund të kalon në sëmundje serioze malinje?

Mjekim specifik nuk ka. Jepet terapi simptomatike. Mendohet se dhënia e preparateve me progesteron ka veprim të mirë. Kohët e fundit nga studimet që janë bërë, është ardhur në përfundim se disa lloje ushqimesh si përdorimi i tepërt i kafesë, çajit të rusit ose indisë, çokollatës si dhe streset, luajnë rol me rëndësi në paraqitjen e kësaj sëmundjeje. Duhet pasur kujdes se afërsisht 6% e këtyre grave me këtë patologji mund të kalojë në karcinom si dhe kujdesi i kësaj moshe (40-60 vjeç) pasi në këtë moshë paraqitet më së shpeshti karcinomi i gjinjve. (iriq apo breshkëza me gjuhën popullore, që përfaqësojnë forma tumorale).

-A janë të shpeshtë tumorët e gjinjve te femrat dhe a duhet të mjekohen tumorët beninjë dhe si?

Një femër, ndër 5 gra, preket nga një tumor i gjinjve, prej të cilëve 2/3 e rasteve janë beninje. Duhet të mjekohen patjetër. Nëse diagnostifikohet ndonjë formë e tyre si formacionet cistike, ato duhet të operohen, përndryshe, në të kundertën mund të kalojnë në tumore malinje.

-Po tumoret malinje a janë të shpeshtë te femrat?

Nga të gjitha sëmundjet malinje (ose me zë të keq) te femrat, së bashku me karcinomin e qafës së mitrës, karcinomi i gjinjve është ndër më të shpeshtit. Statistikat ndryshojnë nga vendi në vend. Kështu, në Japoni vdekshmëria nga karcinomi i gjirit është 4 në 100.000, në SHBA 26 në 100 mijë. Në Evropë vdekshmëri më të lartë ka Britania e Madhe, Danimarka 32-40 raste në 100.000 gra.

-Në cilën moshë mund të sëmuret femra nga karcinomi i gjirit si dhe a mund të sëmuren edhe meshkujt nga kjo sëmundje?

Nga karcinomi i gjirit femra mund të sëmuret nga rinia e hershme e deri në fund të jetës së saj. Mosha më e shpeshtë kur sëmuren femrat është nga mosha 40 deri në moshën 75- vjeçare. Sëmurën edhe mashkujt, por sëmundja te burrat është mjaft e rrallë. Marrëdhëniet e paraqitjes së karcinomit të gjirit të burrat dhe gratë është 99:1 në favor të grave.

-A dihet shkaktari i paraqitjes së kësaj sëmundje vdekjeprurëse dhe cilët janë faktorët të cilët e ndihmojnë paraqitjen e saj?

Etilogjia (shkaku) i sëmundjes nuk dihet. Mirëpo ka mjaft studime, që flasin për disa faktorë të cilët e favorizojnë si dhe disa të tjerë të cilët e mbrojnë femrën nga paraqitja e kësaj sëmundje të rrezikshme.

Faktorë kyç janë hormonet seksuale të vezoreve, sidomos estrogjenet. Kështu, femrat të cilat nuk kanë lindur ose kanë pak lindje janë të favorizuara në paraqitjen e kësaj sëmundjeje. Sëmundja më e shpeshtë është te ato gra, te të cilat menopauza (menstruacioni i fundit) është e vonshme. Gratë, të cilat kanë gjakderdhje të rregullta menstruale deri pas moshës 55- vjeçare, sëmuren nga karcinomi i gjirit 2 herë më shpesh se te ato, të cilat menstruacionet pushojnë para moshës 45- vjeçe. Mënyra e ushqyeshmërisë, sidomos ushqimi i pasur me yndyrna ndikon mbi probabilitetin e shfaqjes së sëmundjes. Gratë me peshë të shtuar (të majme) sëmuren më shpesh nga karcinomi i gjirit, se femrat me peshë normale. Edhe femrat, të cilat mbeten shtatzënë për herë të parë pas moshës 30- vjeçare, janë më të rrezikuara se ato që nuk kanë lindur fare. Ky rrezik vjen duke u rritur, sa më në moshë të shtyrë të jetë shtatzania a parë. Disa studime flasin se edhe abortet e shpeshta rrisin rrezikun e paraqitjes së kësaj sëmundjeje.

-Po duhani a ka ndikim në paraqitjen e karcinomit të gjirit?

Prej një kohe të gjatë janë duke u bërë studime në këtë drejtim. Te kafshët është vërtetuar se materjet kimike që përmban duhani, shkaktojnë karcinomin e gjirit. Kohët e fundit në Amerikë është shpallur një studim për karcinomin e gjirit dhe duhanin. Nga ky studim është dalë në përfundimin se te gratë të cilat pinë duhan, aftësia mbrojtëse e një gjeni, i cili ka ndikim në paraqitjen e karcinomit të gjirit, ulet. Ky gjen, te popujt evropianë haset në mbi 50%. Janë të rrezikuara sidomos, ato femra që fillojnë të pinë duhan herët, si dhe ato, të cilat pinë më shumë se një paketë brenda ditës.

-A ka faktorë të cilët e mbrojnë gruan nga paraqitja e kancerit të gjirit dhe cilët janë?

Rrezik më të vogël të paraqitjes së kancerit të gjirit kanë ato femra, të cilave u janë larguar vezoret para moshës 40- vjeçare. Rrezik më të vogël për paraqitjen e sëmundjes paraqesin edhe menstruacionet e rralla për shkak të shtatzanive, dhënies gji një kohë të gjatë si dhe te ato femra, të cilat mbesin pa menstruacione herët. Edhe shtatzanitë e shpeshta e zvogëlojnë rrezikun nga paraqitja e karcinomit të gjirit te femrat. Ka edhe disa të dhëna, se shtatzania para moshës 25 vjeçe, e zvogëlon mundësinë e paraqitjes së kancerit të gjirit. Gratë, të cilat kanë lindur para moshes 18- vjeçare, janë 3 herë më pak të rrezikuara për t u sëmurur, në krahasim me gratë, të cilat për herë të parë kanë lindur pas moshës 35- vjeçare.

-A është karcinomit i gjirit sëmundje ngjitëse apo trashëguese?

Jo, dhe nuk ka arsye për frikë, se kjo sëmundje mund t u ngjitet personave, të cilët e rrethojnë ose kujdesen për të sëmurën. Nuk mund të thuhet me siguri, se a është sëmundja trashëguese apo jo. Mirëpo, ka të dhëna se sëmundja është paraqitur te disa gjenerata të gruas së sëmurë si gjyshja, nëna, e bija, motra. Incidenca e paraqitjes së karcinomit të gjirit është 2-3 herë më e shpeshtë te gratë, të cilat në familje (gjyshja, nëna, motra) kanë pasur të sëmurë me karcinom të gjirit, në krahasim me ato gra, të cilat në anamnezën familjare nuk kanë pasur të sëmurë me këtë sëmundje.

-Cila pjesë e gjirit është më e rrezikuar nga paraqitja e kësaj sëmundjeje?

Nëse gjirin e ndajmë në katër pjesë, atëherë në 1/4 e jashtme të sipërme, në 48% të rasteve paraqitet më shpesh karcinomi i gjirit, pastaj vjen 1/4 e sipërme e brendshme me 15%, 1/4 poshmte e jashtme me 11% dhe më pak karcinomi i gjirit lokalizohet në 1/4 e poshtme të brendshme 6%. Përreth thithit-aureolës në 17% dhe multifolikular, domethënë në shumë vende, 3%.

-Cilat janë shenjat e paraqitjes së karcinomit të gjirit?

Faza e fillimit të paraqitjes së karcinomit të gjirit nuk ka ndonjë shenjë karakteristike. Shpesh ndodh që gruaja vetë të zbulojë, prek disa ndryshime në gjinj, formacione të forta nyjesh. Këto zbulohen zakonisht gjatë larjes së trupit. Mirëpo, janë bërë studime edhe te popujt më të ngritur në kuptim të edukatës shëndetësore, se nga koha e prekjes së këtyre ndryshimeve e deri te paraqitja te mjeku, së paku kalojnë 7-12 muaj. Sigurisht, te populli ynë kjo është edhe më e vonuar, për shkak të edukimit shëndetësor të pamjaftuar. Në fillim, këto nyje të cilat preken, janë të veçuara dhe të lira, por me kalimin e kohës, këto bashkohen me indin përreth dhe nuk janë më të lira. Në disa raste, hasen ndryshime në thitha (ato futen brenda) ose paraqitet skuqje apo trashje e lëkures së gjirit. Në disa raste, paraqitet rrjedhje e lëngut të përzier me gjak nga gjiri.

-A përhapet sëmundja edhe në organe tjera?

Po. Në fillim procesi i karcinomit të gjirit përhapet në tërë gjirin në drejtim të kraharorit dhe lëkurës, në atë mënyrë që lëkura e gjirit merr një pamje si lëvorja e portokallit. Sëmundja mund të përhapet edhe me anë të gjakut në organe tjera si vezore deri në 30% të rasteve, unaza të boshtit kurrizor, mushkëri, mëlçi, tru, etj.

-Si caktohet diagnoza e kancerit të gjirit?

Për diagnozën e karcinomit të gjirit duhet të merret anamneza mirë, ajo familjare dhe personale, të vështrohen gjinjtë, preken-palpohen. Nga analizat duhet të bëhet kontrolli me ultratingull, sidomos te femrat e reja, mamografia-kontrolli me rëntgen dhe analiza citologjike e aspiratit të marrë me gjilpërë.

-Kur duhet të bëhen kontrollet me ultratingull dhe me rëntgen ose mamografi?

Më së miri është që kontrolli me ultratingull ose me rëntgen-mamografi duhet të bëhet në fazën e parë të ciklit menstrual, pra menjëherë pas menstruacioneve, pëkatësisht nga dita e 4 deri në ditën e 10 e ciklit mujor.

-A ka mjekim?

Po, ekziston mjekimi, i cili kryhet në institucione të specializuara. Rezultatet varen nga koha e zbulimit. Nëse zbulohet me kohë, atëherë kohëzgjatja e jetës mund të arrihet deri në 20 vjet. Mjekimi kryhet me rrugë operative dhe pastaj vazhdohet me rrezatim. Mjekimi pesëvjeçar është në 80-90% të rasteve të zbuluara heret, kur gjëndrat limfatike regjionale nuk janë prekur.



Probabiliteti i sëmundjes

Gjatë jetës, 2-3% e grave sëmuren nga karcinomi i gjirit

Nga të gjitha sëmundjet malinje, 20-25% të tyre i takojnë karcinomit të gjirit

Numri i vdekjeve nga sëmundjet malinje është deri në 20% të grave

6% e popullatës së femrave janë të përfshira nga kjo sëmundje si dhe me një tendencë rritjeje edhe në 1% brenda vitit.

Kanceri i gjirit, falë mundësive diagnostikuese, disiplinës dhe edukatës shëndetësore të vetë grave mund te zbulohet shume herët dhe të elimonohet



Ky lajm është publikuar: 24/10/2008