Një vepër e paçmuar e Henri Matis, e vjedhur nga nazistët, do të rikthehet te trashëgimtarët e pronarit
Gurlitt do tua kthejë trashëgimtarëve një vepër të Matis (Matisse). Por ai nuk e ka më pikturën. Ajo ndodhet në Prokurorinë e Augsburgut. Ajo do ta dorëzojë vetëm, pasi të jetë arritur një marrëveshje.
Në mesin e viteve 1920, piktori francez Henri Matisse pikturoi veprën Grua e ulur. Piktura përfundoi në koleksionin e Paul Rosenbergut, një tregtari hebre veprash arti, që jetonte në Paris. Vepra, me sa duket, u vodh nga nazistët dhe u ble nga Gustav Roshlitz (Rochlitz). Edhe Roshlitz ishte tregtar i veprave të artit në Paris, me lidhje të ngushta me Herman Gering. Roshlitz e furnizonte atë me vepra arti. E paqartë është edhe, se si piktura i ra në fund në dorë tregtarit Hildebrand Gurlitt. E qartë është se kjo vepër e Matis u gjet në banesën e djalit të tij, Cornelius Gurlitt në Mynih.
Gurlitt do ta kthejë Gruan që rri ulur
Këtë javë, zëdhënësi për shtypin i koleksionistit të artit Cornelius Gurlitt deklaroi se kjo vepër arti nga koleksioni Gurlitt do t’u kthehet trashëgimtarëve të ligjshëm. Bëhet fjalë për Gruan që rri ulur, i tha zëdhënësi i Gurlitt, Stefan Holzinger. Ai nuk tregon, se kush është ai që ka kërkuar t’i kthehet piktura. E sigurt është se bëhet fjalë për trashëgimtarët e Paul Rosenbergut. Familia Rosenberg është që pas luftës në kërkim të veprave të artit që ka pasur në zotërim. Ne nuk jemi të gatshëm, të harrojmë, apo thjesht të heqim dorë, tha Marianne Rosenberg, mbesa e tregtarit të veprave të artit vitin e kaluar në New York Times.
Prokuroria, e gatshme për dorëzimin e veprës
Megjithatë kjo vepër, deri tani, është e sekuestruar nga Prokuroria e Augsburgut. Ajo do ta dorëzonte pikturën, nëse Gurlit do të paraqesë deklaratën përkatëse, thotë zëdhënësi i Prokurorisë së Augsburgut, Matthias Nickolai, në intervistë me DW. Tani e ka radhën Gurlitt, që të bëjë fakte. Në qoftë se paraqitet një marrëveshje dhe tutori i të akuzuarit na njofton, se ne lejohemi ta dorëzojmë pikturën në bazë të deklaratës, atëherë ne do ta bëjmë, deklaron ai.
Kthimi i pikturës së Matisse është vetëm fillimi.
Megjithatë nuk është e nevojshme asnjë deklaratë, njofton Holzinger, zëdhënësi i Gurlitt, për ta kaluar përsëri topin në fushën e prokurorisë, e cila këmbëngul tek marrëveshja. Kthimi i pikturës së Matisse është vetëm fillimi, pohon Holzinger. Ne po përpilojmë një skemë të kthimit, sipas së cilës do të trajtohen edhe rastet më pak të qarta, shton ai
Dr. Ingeborg Berggreen-Merkel, drejtuesja e task-forcës të ngritur nga qeveria gjermane për këtë çështje, e përshëndet ofertën e Gurlitt për kthim. Nëse ne, për të gjitha pikturat, do të bashkëpunonim me avokatët e Gurlitt për të bërë kërkimin transparent dhe shkencor të prejardhjes së veprave, atëherë ky do të ishte një hap i rëndësishëm përpara në trajtimin e artit të gjetur në Schwabing dhe Salzburg, – i tha ajo DW.
Në banesën e koleksionistit të artit Cornelius Gurlitt në Mynih në vitin 2012 u gjetën më shumë se 1400 vepra arti. Gurlitt i kishte trashëguar veprat nga i ati, tregtari i artit Hildebrand Gurlitt, i cili kishte bashkëpunuar me nazistët. Vetëm në fund të vitit 2013 rasti u bë publik. Së fundi u zbuluan edhe 238 tablo, akuarele dhe vizatime në shtëpinë e Gurlitt në Salsburg. Qindra vepra arti nga koleksioni i Gurlitt dyshohen se janë vepra arti të vjedhura. Pas gjetjes së pikturave në Schwabing, qeveria gjermane ka krijuar një task-forcë, për të përcaktuar origjinën e këtyre veprave.
Ky shkrim Rasti Gurlitt Kthimi në shtëpi i Gruas që rri ulur u publikua me pare te Gazeta SHQIP.