Klubi rom i boksit nga Graçanica, Real Rom të enjten është regjistruar në Federatën e Boksit të Kosovës (FBOXK), duke u bërë kështu klubi i parë nga minoritetet që jetojnë në Kosovë që hyn nën ombrellën e kësaj federate.



Ndërsa Real Rom të premten në Graçanicë do ta mbajë një turne ndërkombëtar për nder të Ditës botërore të romëve, i cili organizohet nën ombrellën e FBOXK-së dhe do të ndihmohet nga Departamenti i Sportit i Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport (MKRS). Ky turne tani e tutje do të jetë tradicional dhe do të regjistrohet edhe në kalendarin zyrtar të garave të FBOXK-së.



“Në bashkëpunim me Departamentin e Sportit dhe sipas planit programor për integrim të minoriteteve në sportin e Kosovës, e kemi inkuadruar Real Rom në FBOXK. Këtë veprim e kemi bërë me qëllim të zhvillimit të sportit të minoriteteve dhe integrimin e tyre në shoqëri”, tha për Express koordinatori special i MKRS-së për inkuadrim të minoriteteve në sport, Ferdi Zekolli.



Ndërsa kryetari i këtij klubi, Jefta Aksiç, tha se objektiv i tij tani mbetet ta organizojë Olimpiadën botërore të romëve në Kosovë. “Po planifikoj që brenda vitit 2010 ta organizoj Olimpiadën botërore për romë në Kosovë, me qëllim që t’ia qesim një hije të mirë Kosovës në botë. Por, për ta realizuar këtë na nevojitet ndihma e institucioneve më të larta shtetërore”, tha Aksiç.