Raphael Varane nuk është më i lumtur në Madrid dhe po mendon seriozisht largimin nga Reali pasi nuk ndihet i vlerësuar aq sa duhet. Kështu shkruan sot spanjollja AS, e cila hedh dritë edhe mbi shkaqet e kësaj lufte të ftohtë.


Dhe të mendosh se jo shumë kohë më parë, ai rinovoi kontratën me të bardhët deri në vitin 2022. Sidoqoftë, gjërat që kanë ndodhur në fillim të sezonit e kanë mërzitur francezin.


Varane është zemëruar me klubin për shkak se nuk ka marrë asnjë vlerësim në Santiago Bernabeu, pavarësisht fitimit të titullit të kampionit të botës me Francën në Rusi 2018. Umtiti u vlerësua për këtë te Barça. Ashtu si Lucas, Lemar dhe Griezmann tek Atletico Madrid. Kjo e shtoi shqetësimin e tij, ndërsa priste që vlerësimi të vinte në formën e rritjes së pagës.


Në fakt, ai nuk pranoi të udhëtojë për në ceremoninë e Topit të Artë, pavarësisht se u mbajt në Paris, një ngjarje e madhe, ku ekipi i tij kombëtar u nderua për fitimin e Botërorit. Përveç kësaj, PSG i ka dërguar atij një ofertë joshëse financiare për të nënshkruar, ndërkohë që agjenti i kampionit të botës po kërkon me ngulm rritje të re page nga klubi i bardhë.