Reali i Madridit pësoi një disfatë të rëndë në sfidën e parë zyrtare të sezonit, pikërisht në Superkupën e Europës ndaj Atleticos. Pas këtij zhgënjimi, i pari edhe për trajnerin e ri, Julen Lopetegui, në ambientin merengues të gjithë pyesin veten nëse pas largimit të Cristiano Ronaldos 13 herë fituesit e Championsit janë ende të aftë për të qëndruar në majën e hegjemonisë së futbollit botëror. Cristiano ishte i aftë të shënonte 50 gola në sezon dhe çështë më e rëndësishmja ishte gjithmonë vendimtar në takimet më delikate.


Në Spanjë shkruajnë se, në pamundësi për të marrë një mes Lewandowskit, Cavanit dhe Harry Kane, drejtuesit e Realit po studiojnë të gjitha mundësitë për të siguruar shërbimet e Mauro Icardit, Timo Wernerit ose të Rodrigos se Valencias. Për sulmuesin argjentinas bëhet thuajse e pamundur, sepse merkatoja në Itali mbyllet pikërisht këtë të premte dhe zikaltrit, edhe nëse do ta pranonin ofertën e Los Blancos, nuk do të kishin kohë për ta zëvendësuar Mauriton.


Në rastin e sulmuesit të Leipzigut dhe të përfaqësueses gjermane mbetet dyshimi nëse mund të përballojë presionin në një skuadër si Reali, pasi ende nuk është provuar në nivelet më të larta. Sa i përket Rodrigos së Valencias, Lopetegui e njeh shumë mirë, pasi e ka patur nën urdhrat e tij te Spanja. Edhe për këtë sulmues ka dyshime nëse do të arrijë të shënojë aq sa ka realizuar sezonin e fundit te skuadra valenciane. Ka klauzolë largimi 120 milionë euro, por nëse Reali këmbëngul, mund ta marrë edhe për 80 milionë.


17 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)