????????????????????????????????????

Tiranë, 24 nëntor/ATSH-Megi Zonja/.- Centro di Cultura në një njoftim për shtyp bën të ditur për ATSH-në se artisti, Red Radoja ka dhënë në Torino, Itali, koncertin recital 'Epique'. Publiku artedashës i Torinos ndoqi mbrëmjen e së Hënës, 23 Nëntor , koncertin recital të artistit të talentuar shqiptar Red Radoja. Virtuoz i pianos dhe njëkohësisht kompozitor origjinal dhe eklektik, mjaft i vlerësuar nga publiku dhe nga kritika, Radoja paraqiti në Torino një program me pjesë të zgjedhura nga albumi i tij i ri "Epique", thuhej në këtë njoftim .

Vepra e Red Radojës frymëzohet nga tradita muzikore shqiptare, si edhe nga historia dhe epika mesjetare. Universi i tij origjinal krijues popullohet nga personazhe mitologjike dhe legjendare si Muji, Garria apo Zanat e Maleve. Aty nuk mungojnë as figurat e spikatura të historisë së trojeve shqiptare si Pirro mbret i Epirit, heroi kombëtar Gjergj Kastrioti, apo qindra kalorësit shqiptarë të angazhuar në ushtritë e famshme mesjetare të Europës perëndimore. Këto elemente burimore interpretohen me mjeshtëri dhe origjinalitet nga autori, përmes gjuhës së rafinuar të muzikës neoklasike. Gjatë koncertit, autori i parapriu ekzekutimit të veprave me monologje të shkurtra shpjeguese, mjaft të vlerësuara nga publiku, ashtu si e gjithë performanca, që u prit me duartrokitje të vazhdueshme.

????????????????????????????????????

Koncerti u organizua me rastin e Festave Kombëtare nga Qendra e Kulturës Shqiptare, një organizatë e bashkësisë shqiptare në Itali e angazhuar prej vitesh në promovimin e vlerave të kulturës së vendit tonë. Në të morën pjesë shumë spektatorë artedashës shqiptarë dhe italianë, mes të cilëve nuk mungonin edhe përfaqësues të lartë të institucioneve të territorit.

Red Radoja jeton dhe punon prej vitesh në Francë, ku ka përfunduar studimet e larta universitare për piano, drejtim orkestre, si edhe një Master në muzikologji.i. Koncerti i Torinos ishte një prej etapave të turneut të tij promovues në Europë.

/f.n/