Greqia do të thërrasë një referendum për paketën e re të ndihmës nga Bashkimi Europian, e cila ka për qëllim zgjidhjen e krizës së borxheve. Njoftimin e bëri vetë kryeministri i vendit, Jorgos Papandreu u cili tha gjithashtu se një mocion mosbesimi do të mbahet në parlament, por për të dyja ngjarjet ende nuk janë caktuar datat e sakta.





Paketa e re e miratuar në Bruksel në samitin e jashtëzakonshëm të
liderëve të Bashkimit Europian, e që shihet me skepticizëm në popull,
parashikon marrjen përsipër të 50 për qind humbje nga ana e bankave që
kanë bono të borxhit grek si dhe një hua të re 100 miliardë euro.



Në Greqi ka kohë që protestat masive paralizojnë vendin, pasi qytetarët
janë kundër masave të kursimit të ndërmarra nga Qeveria. Kjo e fundit
duket se do t’i bindet vullnetit të qytetarëve përmes referendumit, kur
të kërkojë gjykimin për paketën e re të shpëtimit. “Do ti bindemi
urdhërave të popullit grek”, citohet Papandreu të ketë thënë për
agjencinë AFP.



Ndërkohë, një sondazh i botuar të shtunën nga gazeta To Vima sugjeron se
shumica e qytetarëve në Greqi e shohin nën një dritë negative paketën e
shpëtimit. Papandreu do të duhet të përballet edhe me kolegët e partisë
së tij, PASOK të cilët kanë shprehu pakënaqësi për ndikimin e paketës
në jetën e qytetarëve dhe zhvillimin e vendit.



Juli Prifti