Nxënësit e shkollës “Lefter Talo” në Livadhja kërkojnë rikthimin në punë të mësuesve dhe pajisjen me libra në gjuhën e tyre amtare




Librat


Veç largimit të mësuesve nga shkollat e minoritetit grek, një problem tjetër që i ka detyruar nxënësit dhe mësuesit të bojkotojnë për tre ditë mësimin është edhe ai i mosplotësimit të nevojave të çdo nxënësi për t’u pajisur me tekstet lëndore, për të vijuar normalisht mësimin në gjuhën amtare. Kjo e drejtë është sanksionuar në marrëveshjen mes dy qeverive për të pajisur pa mungesa të gjithë kontingjentin aktual të nxënësve, me tekstet e botuara në Greqi.




Sarandë - Për tre ditë me radhë, shkolla 9-vjeçare dhe ajo e mesme e komunës së Livadhjasë, në rajonin e Sarandës, kanë ndërprerë procesin mësimor, duke u hedhur në grevë. Shkaku i kësaj proteste ka qenë njohja me udhëzimin e MASH-it për reformën në arsim, ku një numër i konsiderueshëm i mësuesve të rajonit, komunës dhe mësues të shkollave të tyre duhet të lënë vendet e punës që kanë mbajtur deri më sot.


Fshatrat e kësaj zone që kanë probleme me numrin e nxënësve për klasë, i cili ka ardhur duke u ulur nga viti në vit, si rezultat i largimit në emigracion të familjarëve drejt Greqisë, ku edhe janë punësuar. Ndërkohë, në bazë të reformës së nisur nga ministria, shumë prej mësuesve, për arsye të bashkimit të klasave brenda të njëjtës shkollë prej mosplotësimit të numrit minimal të nxënësve, iu shkurtohet vendi i punës, duke mbetur të papunë. Numri i mësuesve të shkurtuar nga puna po rritet për çdo ditë, duke krijuar një problem social në këtë rajon.


Veç largimit të mësuesve nga shkollat e minoritetit grek, një problem tjetër që i ka detyruar nxënësit dhe mësuesit të bojkotojnë për tre ditë mësimin është dhe ai i mosplotësimit të nevojave të çdo nxënësi për t’u pajisur me tekstet lëndore, për të vijuar normalisht mësimin në gjuhën amtare. Kjo e drejtë është sanksionuar në marrëveshjen mes dy qeverive për të pajisur pa mungesa të gjithë kontingjentin aktual të nxënësve, me tekstet e botuara në Greqi.


Vështirësive të mësipërme të krijuara nga menaxhimi i dobët administrativ u shtohet dhe ai i mangësive në transportin e mësuesve nga fshatra të ndryshëm të zonës, si dhe transportin e nxënësve nga disa fshatra drejt shkollave të tyre në qendër të komunës së Livadhjasë. “Këto arsye na detyruan që ne të nisim këtë grevë, e cila ka hyrë në ditën e saj të tretë. Nëse mësuesit e larguar pas shkurtimit të klasave në shkollën tonë nuk do të kthehen në punë dhe nëse ne nuk do të pajisemi me libra, siç na është premtuar herë pas here, ne do të vazhdojmë bojkotimin e mësimit për një kohë të pacaktuar”, tha nxënësja Antonia Kromidha e shkollës publike në gjuhën greke “Lefter Talo”, në Livadhja.


Megjithëse autoritetet përkatëse të drejtorisë arsimore janë vënë në dijeni të ndërprerjes së mësimit, deri dje nuk ka pasur asnjë lëvizje për të kontaktuar me nxënësit dhe mësuesit protestues, apo për të diskutuar zgjidhjen e kërkesave të tyre. Kësisoj nuk dihet se sa do të vazhdojë protesta e nxënësve dhe mësuesve, e ndoshta do të duhet sërish ndërhyrja e Ministrisë së Arsimit, ashtu sikurse ndodhi me grevat në disa universitete të vendit përpara disa muajsh.







Durrës



Arrestohet 37-vjeçari me 21 doza heroine



Durrës - Një shpërndarës droge është arrestuar paraditen e djeshme në qytetin e Durrësit nga efektivat e Seksionit të Luftës Kundër Drogës. Pëllumb Sulejmani, 37 vjeç, banor i lagjes 10 në Durrës, është vënë në pranga rreth orës 11:30 në banesën e tij, pasi atje janë gjetur një sasi lënde narkotike e llojit heroinë, armë zjarri dhe një sasi lekësh. Burimet policore kanë saktësuar se në banesën e tij janë gjetur në një sirtar të izoluar me natriban 76.45 gramë heroinë e ndarë në 21 doza të ambalazhuara në letër alumini. Përveç kësaj sasie të lëndës narkotike, janë gjetur edhe një pistoletë model 54 e kalibrit 7.62 mm, një krehër pistolete, 13 fishekë dhe shumë prej 52 500 lekësh. Burimet policore kanë shtuar se shtetasi në fjalë e shpërndante lëndën narkotike në lagjen 12 të Durrësit. Ai akuzohet për veprat penale të prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike, si dhe mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake.


A. K.






Kukës



Gjykata, mungojnë ambientet


dhe sistemi elektronik për shortin




Gjykata e Kukësit çdo ditë po përballet me mungesën e ambienteve të nevojshme për organizimin e çështjeve të cilat duhet të shqyrtojë. Veç kësaj, ajo ende nuk ka në funksion sistemin elektronik, i cili bën të mundur shpërndarjen e çështjeve për secilin gjyqtar, gjë që herë pas here sjell pakënaqësi te vetë gjyqtarët




Kukës - Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës prej kohësh vuan mungesën e ambienteve të duhura për zhvillimin e seancave gjyqësore, por pavarësisht kësaj, askush nuk ka bërë përçapje për të përmbushur kërkesat e saj. Këtë fakt e ka pohuar edhe kreu i kësaj gjykate, Flamur Kapllani, i cili ka deklaruar për “Korrierin”, se seancat gjyqësore organizohen në një sallë, e cila plotëson kushtet më minimale. Kur ajo është e zënë seancat zhvillohen në disa salla të tjera, që shfrytëzohen nga gjyqtarët, të cilat nuk kanë asnjë parametër normal dhe që cenojnë solemnitetin e gjykimit dhe se nuk lejon objektivisht praninë e publikut. Sipas tij, i është kërkuar ndihmë pushtetit lokal për gjetjen e një trualli, por deri tani nuk është gjetur mbështetja e duhur. “Një nga vështirësitë që ka Gjykata e Rrethit të Kukësit është ai i ambienteve. Këtu funksionon vetëm një sallë, e cila nuk plotëson kushtet më minimale të një salle penale, pasi duhet të ketë një hyrje të veçantë për të pandehurin, trupën gjyqësore apo publikun. Sallat e tjera nuk mund të quhen salla gjykimi, pasi nuk kanë hapësira e sidomos për publikun në çështjet civile. Kemi kërkuar mbështetje nga pushteti lokal, por nuk kemi gjetur zgjidhje. Ata thonë se nuk kemi mundësi të gjejmë një truall, pasi ne u kemi dërguar një projekt për ndërtimin e një gjykate të re. Kushti i vetëm për ndërtimin e një godine të re lidhet me faktin se trualli duhet të jetë i shtetit ose i dhuruar nga ndonjë donator, pasi ministria jonë nuk investon për këtë çështje”, shprehet kështu kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës. Po sipas tij, delegimi i gjyqtarëve për çështje të veçanta në Gjykatën e rrethit Gjyqësor Pukë e Tropojë, përballet me një vështirësi të madhe në gjykim duke sjellë një anomali, për shkak të largësisë apo kostos financiare. “Për të lëvizur nga Kukësi në Tropojë apo Pukë kemi në dispozicion vetëm një automjet me një karburant të pamjaftueshëm. Ne kemi bërë një sforco shumë të madhe, duke “shfrytëzuar” paksa njëri-tjetrin, pasi në të kundërtën i bie që gjyqtari të udhëtojë nga një vend në tjetrin me furgon dhe në çdo çast mund të rrezikohet nga prania e të pandehurit apo të të afërmve të tij”, vijon më pas ai. Veç kësaj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës nuk ka në funksion edhe sistemin elektronik të ndarjes së çështjeve për secilin gjyqtar. Bëhet e ditur se shorti “Cicmic”, i cili parasheh ndarjen në mënyrë elektronike të çështjeve, ku edhe pse është instaluar, nuk funksionon. Vetë firma fillimisht ka hasur probleme me ruajtjen e memories, më pas nuk funksionuan bateritë. Ai duhet të qëndrojë i ndezur online, pasi sapo të fiket, humbet të gjithë materialin e ruajtur. Aktualisht pranë kësaj gjykate hidhet shorti tradicional ai me gogla në praninë e trupës gjyqësore dhe kancelarit. Ky sistem shihet si faktor i shmangies së abuzimit të kryetarit të gjykatës apo kancelarit të saj gjatë hedhjes së shortit për ndarjen e proceseve mes gjyqtarëve.


Për vitin 2009, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës janë shqyrtuar gjithsej 1207 çështje, ku 900 prej tyre janë përfunduar. çështje civile janë regjistruar 830, penale 138, me protokoll civil 521, ndërsa me protokoll penal 198. Kjo gjykatë ka shtatë gjyqtarë, njëri prej të cilëve ushtron detyrën e kryetarit të gjykatës, të cilët kanë dënuar 107 persona, të pafajshëm janë deklaruar 11 persona. Veprat penale më të përhapura për këtë vit gjyqësor kanë qenë plagosjet e lehta dhe të rënda me dashje, rrahjet, vetëgjyqësitë, armëmbajtjet pa leje, kontrabandë, vjedhjet, falsifikimet, lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike, prerjet e paligjshme të pyjeve, si dhe shpërdorim detyre.


Flutura Tota