Revolucionare dhe shumë të guximshme, e ka konsideruar Reformën në Drejtësi që ka ndërmarrë Qeveria Shqiptare, komisionerja për Drejtësinë, Konsumatorin dhe Barazinë Gjinore në Komisionin Europian, znj. Vera Jourova.


Gjatë një takimi që Ministrja e Drejtësisë, znj.Etilda Gjonaj zhvilloi në Bruksel me Komisioneren Vera Jourova është diskutuar gjerësisht lidhur me Reformën në Drejtësi, ecurinë dhe arritjet e deritanishme në zbatimin e saj në praktikë.


Komisionerja Jourova i konsideroi përpjekjet për të reformuar sistemin e drejtësisë si mbresëlënëse dhe shprehu bindjen që Reforma në Drejtësi do të mbetet një ngjarje historike në zhvillimin e Shqipërisë. Ajo e siguroi Ministren Gjonaj për mbështetjen e Komisionit Europian në zbatimin e Reformës, si dhe e inkurajoi atë për të ecur me ritme sa më të shpejta në këtë drejtim.


Ministrja Gjonaj në përgjigje të interesimit të Komisioneres, foli gjerësisht për mënyrën se si institucionet e reja të drejtësisë do të jenë të pavaruranga ndikimi i politikës, kjo si rezultat i mekanizmave të ngritura, që garantojnë pavarësinë e organeve të reja.


Ministrja Gjonaj shprehu kënaqësinë që do të mirëpresë Komisioneren Jurova, në takimin ministrave të Drejtësisë dhe të Brendshëm të vendeve të BE-së dhe vendeve të rajonit në datat 4-5 tetor të këtij viti, i cili këtë herë do të mbahet në Tiranë. Kjo si shprehje e vlerësimit të progresit të arritur nga Shqipëria deri tani dhe rëndësisë që ka forcimi i shtetit të së drejtës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.


Takimi i ministrave në tetor dhe vizita e Komisioneres Jurova do të shërbejë edhe si një mundësi e mirë, për nënshkrimin të marrëveshjes së bashkëpunimit me EUROJUST, me qëllim forcimin e përpjekjeve të autoriteteve Shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.


Gjatë vizitës zyrtare në Brukel, Ministrja Gjonaj ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e Grupit të Këshillit për Ballkanin Perëndimor (COWEB) ku pati mundësinë t’i njohë me rezultatet më të fundit të Reformës në Drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit.


Pjesë e vizitës dy ditore të Ministres Gjonaj do të jenë dhe takimet me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, z.Christian Danielsson, si dhe një bashkëbisedim me organizatat e shoqërisë civile në Bruksel, organizuar nga Qendra e Politikave Europiane.


21 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)