Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e 25 vjetorit të BERZH:

Faleminderit zoti President për këtë ftesë që të jem pjesë e kësaj ceremonie dhe gjithashtu për gatishmërinë tuaj që ndodheni këtu dhe të festuar përvjetorin e një bashkëpunimi mjaft të rëndësishëm mes vendit tonë, qeverisë dhe bankës tuaj.

Do të doja ta filloja aty ku ju e latë, me reformën më drejtësi. Jam mjaft krenar që ia dolëm, jam mjaft krenar që kemi qenë të angazhuar për të që ditën e parë dhe meqë ra fjala ishim forca e parë politike në vend, gjatë këtyre 25 viteve, që e kishim reformën në drejtësi si pjesë të programit tonë dhe që e bëmë atë një prej premtimeve tona.

Shumë njerëz mendonin se kjo ishte e pamundur, sepse ishte përtej mundësisë sonë përsa iu përket numrave që dispononim, por unë isha mes atyre të paktëve që mendonin që prej momentit të parë se kjo ishte e mundur, sepse Shqipëria asnjëherë nuk ka qënë vetëm dhe sepse reforma e drejtësisë, siç është tanimë, një paketë kushtetuese e integruar në Kushtetutë me një konsensus mjaft të madh, është rezultat i një bashkëpunimi mjaft të ngushtë më miqtë dhe aleatët tanë.

Natyrisht ka mjaft njerëz që kanë variantin e tyre të historisë, unë kam timin dhe në këtë variant, ky konsensus ishte një kryevepër e një kombinimi mjaft fatlum midis vullnetit të shqiptarëve, të cilët shkonin absolutisht përtej çdo linje partiake në mbështetje të kësaj reformë; Vullnetit të aleatëve tanë, të cilët shkuan përtej çdo pritshmërie, duke investuar përpjekjen dhe imazhin e tyre, si edhe vullneti i disa murthyesve që siguruan që reforma të ishte e sigurt edhe pa konsensus. Pa këto elemente nuk do të kishim pasur 140 vota.

Por çka është më e rëndësishme është se duke pasur 140 vota, tanimë kemi hyrë në një epokë krejt të re të historisë shqiptare, sepse për herë të parë, ne kemi instrumentet të gjykojmë ata që kurrë nuk janë gjykuar dhe që kanë tjetërsuar misionin dinjitoz të gjyqtarëve në një instrument që e shndërron drejtësinë në diçka që mund ta shesësh dhe mund ta blesh.

Natyrisht është një epoke e re edhe për të gjithë ata që kanë investuar apo duan të investojnë në Shqipëri. Kësisoj jam ndjerë mjaft mirë, kur nga shumë drejtime, nga Britania, Gjermania, Turqia, më është shprehur vullneti i investitorëve për të pare më nga afër mundësitë e investimit në Shqipëri, pikërisht sepse kanë marrë informacionin se kjo reformë në drejtësi, kjo reformë e jashtëzakonshme kushtetuese ka kaluar me sukses.

Nga ana tjetër më vjen mjaft mirë që Presidenti i BERZH-it theksoi vullnetin tonë për të qenë një qeveri reformash dhe ne do të vazhdojmë të jemi një qeveri reformash deri ditën e fundit në detyrë, pasi jemi absolutisht të bindur se Shqipëria ka humbur shumë kohë, duke shtyrë e duke vonuar gjithnjë e më tepër luftën e madhe me të shkuarën e saj dhe me sfidat madhore me të ardhmen tonë. Ndaj fjala jonë kyçe është modernizimi dhe kësisoj ne do të vazhdojmë të modernizojmë përmes reformimit të sistemeve tona, reformimit të institucioneve tona, të shtetit.

Pjesë e këtij procesi është edhe bashkëpunimi me BERZH-in, i cili nuk ka qënë thjesht një ofrues parash, por mbi të gjitha ofrues njohurish. Sot, ne nënshkruam programin tonë më të ri, që është para së gjithash, një instrument inovator në mbështetje të zhvillimit të bujqësisë, bazuar në një shkëmbim mjaft të frytshëm të njohurive, falë mbështetjes së BERZH-it në një proces mjaft produktiv të të nxënit nga ana jonë si të shpenzojmë më mirë dhe në mënyrë shumë herë më efikase për hir të zhvillimit të bujqësisë, ato para, të cilat ne i përdornim në mënyrën e vjetër, por papritur rezultate të një lloji të ri.

Jemi të gjithë të njohur me historinë e bashkëpunimit tonë, ndaj nuk do të përsëris ato që vuri në dukje Presidenti. Por thjesht doja të theksoja se jemi tejet të angazhuar si anëtarë e partnerë me BERZH-in dhe do të bëjmë gjithçka mundemi për të ecur më tej në këtë përpjekje, për të krijuar instrumente të reja që do të mbështetin në mënyrë alternative rritjen e kapaciteteve tona si vend, si bashkësi biznesi dhe po kështu, për të hapur hapësira të reja për investuesit e huaj.

Do t'ju falënderoja të gjithëve edhe një herë dhe do t'ju uroja më të mirën gjithkujt nga ekipi. Shpresoj vërtetë që të keni vazhdimësi të mëtejshme e të mbarë në Tiranë.

* * *

Shqipëria shënon një histori suksesi 24 vjeçar në bashkëpunimin me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. BERZH-i ngriti zyrën e saj në Tiranë në mars të vitit 1992 dhe prej atij momenti ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në kapërcimin e tranzicionit në vend. BERZH, që feston edhe 25 vjetorin e themelimit të saj, sot në mbrëmje organizoi në Tiranë, një ceremoni për të kremtuar këtë bashkëpunim të suksesshëm. Pjesëmarrës në ceremoni ishte edhe Presidenti i BERZH-it Suma Chakrabarti dhe Kryeministri Edi Rama.

"Në këto 24 vjet, BERZH ka investuar mbi 1 miliardë euro në Shqipëri, në 75 projekte në të gjithë sektorët. Mbi të gjitha, ne kemi ofruar 65 shërbime këshillimi dhe ndërhyrjeje në vit për bizneset e vogël në Shqipëri. Kjo përfshin edhe programin e suksesshëm "Gratë në Biznes". Ky do të jetë një vit rekord për investimet e BERZH-it në Shqipëri, me një nivel të pritshëm prej 150-200 milionë euro me rreth 6-10 projekte. Sot nënshkruam në prani të Kryeministrit, Programin e Mbështetjes për Agrobiznesin. Ky program nuk do të kishte qenë i mundur pa grantin prej 36 milionë eurosh nga qeveria shqiptare, i cili shënon gjithashtu ardhjen e Shqipërisë si një donatore në BERZH," - u shpreh Zoti Chakrabarti.

Zoti Chakrabarti e cilësoi bashkëpunimin BERZH-Shqipëri, një partneritet historik i përqendruar në tre përparësi: Përmirësimi i konkurrueshmërisë; shërbimet këshillimore dhe dialogu i politikave për të forcuar lidhjet ekonomike mes Shqipërisë, rajonit dhe Bashkimit Europian dhe mbështetja e komercializimit të ndërmarrjeve publike. Por forcimi i reformave mbetet kyçe, duke shprehur vlerësimin për miratimin e reformës në drejtësi që, sipas tij, do të sigurojë një kontekst pozitiv edhe për ekonominë.

"Zhvillimi i këtij partneriteti historik midis BERZH-it dhe Shqipërisë, - u shpreh Zoti Chakrabarti - nuk do të mund të kishte ndodhur pa reformat e udhëhequra nga Kryeministri Rama dhe qeveria e tij. Përpjekjet për të shlyer borxhin sovran, për të stabilizuar borxhin publik, ekzekutuar pagesën e faturave të energjisë elektrike, për të ndaluar ndërtimet e paligjshme, për të konsoliduar numrin e bashkive dhe për të filluar luftën kundër korrupsionit dhe informalitetit kanë ofruar një kontekst mjaft pozitiv. Edhe reforma e fundit në sistemin e drejtësisë ka qenë shumë më e vështirë për t'u arritur se duhej konsensus politik për të kalonte në Parlament. Në këtë kuadër, qeveria, Kryeministri treguan një shtysë, vendosmëri të jashtëzakonshme dhe aftësi reale politike, që të gjithë ne duhet t'i admirojmë. Më shumë reforma na siguron një kontekst shumë pozitiv për ndërtimin e kapaciteteve se mbetet shumë për të bërë, reforma të mëtejshme për të përmirësuar klimën e biznesit."

Ne, nënvizoi Presidenti i BERZH, i mbështesim këto përpjekje dhe angazhimi ynë do të vazhdojë të jetë i fortë.