reformaPartia Demokratike do ta miratojë në parim draftin me ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi. Burime zyrtare bëjnë të ditur për Top Channel se, ky është vendimi, që opozita ka marrë pas një diskutimi të gjatë politik dhe mes ekspertëve të saj.


Por vota pro në parim e demokratëve, në mbledhjen e së hënës në Komisionin e posaçëm të Reformës në Drejtësi, nuk do të thotë që opozita nuk ka vërejtje për draftin e prezantuar nga ambasadorët.


Të njëjtat burime konfirmuan se, opozita sheh si të plotësuara disa nga kërkesat e saj, që zbehin ndikimin dhe kapjen politike të sistemit të drejtësisë, apo që rrezikojnë funksionimin e insitucioneve të reja.


Qëndrimin e saj zyrtar, Partia Demokratike pritet ta bëjë publik disa orë më vonë nëpërmjet një dokumenti, ku do të shpjegojë me detaje se çfarë është pranuar prej kërkesave të saj dhe çfarë nuk shkon në draftin me ndryshimet kushtetuese.


Një prej çështjeve politike ende të pazgjidhura është ajo se, me çfarë shumice zgjidhen disa prej anëtarëve në institucionet e reja kyçe, që krijohen në sistemin e drejtësisë.


8 maj 2016 (gazeta-Shqip.com) T.CH