Zbatimi i reformës së re administrative-territoriale ka kursyer gati 10 milionë dollarë, ka ulur shpenzimet operative me 3 milion dollarë, ndërkohë që janë decentralizuar edhe 5 shërbime. Por ky është vetëm një pjesë e bilancit të kësaj reforme, në vitin e parë të zbatimit të saj. Rezultatet u prezantuan këtë fundjavë gjatë një takimi informues me përfaqësues të medias, në bashkitë Fier, Tepelenë dhe Gjirokastër. Pjesë e këtij takimi krahas ekspertëve dhe medias, ishte edhe ministri i Shtetit për Çështjet Vendore Bledar Çuci i cili u shpreh se tashmë bashkitë kanë më shumë kompetenca dhe se decentralizimi ishte rruga e duhur për një shërbim sa më eficent kundrejt qytetarëve.


Kemi bërë shumë nga pikëpamja e strukturimit me 61 bashki; kemi një ligj të ri dhe një partneritet të ri mes qeverisjes vendore dhe asaj qëndrore, ku kemi dhënë më shumë kompetenca dhe funksione te bashkitë. Shpesh herë kemi parë edhe përmes medias që nuk është kuptuar si duhet roli i bashkisë dhe rëndësia që ka në jetën e çdo qytetari, ndaj dhe është ngritur ky dialog i përbashkët. Këto 3 vite e gjysëm kanë qenë një punë intensive dhe që kanë bërë të mundur një transformim të mirë të qeverisjes vendore, dhe në masën më të madhe po shohim që reforma po jep efektet e veta, tha ministri Bledar Çuçi.


Bashkia Fier


Duke u ndalur si fillim në Bashkinë e Fierit ministri nënvizoi faktin se një nga funksionet për herë të parë të bashkive është mirëmbajtja e kanaleve vaditëse dhe kulluese. Sipas tij vetëm për një 1 vit e dy muaj janë pastruar mbi 2 mijë km kanale, të cilat kanë qenë në gjendje katastrofike prej 25 vitesh të papastruara.  Të gjithë këto fenomene përmbytjesh dhe tokash janë rezultat i neglzihencës dhe i keqstrukturimit të qeverisjeve të mëparshme. Jemi në rrugë të mbarë dhe po bindim edhe skeptikët që thonë se decentralizimi nuk është instrumenti i duhur, përkundrazi ky ka sjellë shërbim më cilësor dhe eficent ndaj komunitetit, tha ministri. Nga ana e tij kryebashkiaku Armando Subashi njohu gazetarët me disa projekte gjithëpërfshirëse në qendër të qytetit, si rikonsstruksioni i fasadave të pallateve, rrugëve, ndriçimi, apo rikonstruksioni i shkollave.  Shpreh bindjen që njësitë e vogla dhe të copëzuara që kanë funksionuar para reformës, nuk i kanë patur më parë këto mundësi që kanë sot bashkitë e mëdha që të inicojnë projekte zhvillimore me qëllim që të kontribuojnë në rritjen e mirëqenies së komunitetit dhe zhvillimin ekonomiko-social të zonës, u shpreh z.Subashi. Për të parë nga afër disa nga këto projekte Ministri Çuçi, kryebashkiaku Subashi dhe gazetarët ishin në njësinë administrative Darzezë të Fierit shembulli konkret i efektit të RAT dhe STAR2, pasi ashtu siç theksoi ministri, nëpërmjet ndërhyrjes në sistemin e ujitjes dhe kullimit po shmangen përmbytjet që iu kanë shkaktuar mjaft dëme banorëve.


Tepelenë


Në vijim të këtij turi informues, ndalesa e dytë ishte bashkia e Tepelenës, ku me kryebashkiakun Tërmet Peçi gazetarët patën mundësi të njiheshin me ndërhyrjet në sheshin qendor të qytetit, në zonën e kalasë, si dhe me rikonstruksionin e shkollës së mesme Abaz Shehu.


Kryetari I Bashkisë Tërmet Peçi tha mes të tjerash se të paktën 1.4 miliardë lekë janë investuar për rikonstruksionin e sheshit dhe pedonales në Tepelenë, duke i dhënë një pamje të re qytetit. Jo vetëm pedonalja, por edhe fasadat e pallateve i janë nënshtruar rikonstruksionit, dhe kryetari Peçi shprehu bindjen se, mbështetja e qeverisë do të vijojë edhe me projekte të tjera. Bashkia e re e Tepelenës, numëron rreth 18 mijë banorë.


Gjirokastër


Në Gjirokastër, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të mediave lokale u organizua një takim informues mbi arritjet e deritanishme të zbatimit të RAT dhe projektit STAR2 si dhe objektivat e këtij projekti në 3 vitet e ardhshme. Gjatë prezantimit të projektit, sfidave dhe aktiviteteve të STAR 2, menaxherja kombëtare e projektit në fjalë, znj.Edlira Muhedini u shpreh se ndarja e re administrative dhe territoriale e Shqipërisë ka reduktuar numrin e njësive të qeverisjes vendore, duke e kthyer administrimin e territorit në një detyrë më sfiduese, tashmë në një njësi më të madhe zonash urbane, periferike dhe rurale. 




Ndërkohë edhe eksperti për politikat e qeverisjes vendore Enea Hoti ndau me  gazetarët rezultatet në bashki të ndryshme nga shërbimet e decentralizuara si pasojë e reformës.
Realizuam një reformë territoriale sipas parametrave më modern mbështetur në konceptin e zonave funksionale. Reforma u mbështet nga 67 % e qytetarëve në sondazhin kombëtar të realizuar nga PNUD me mbi 16 mijë të intervistuar. Kemi përmirësuar ndjeshëm legjislacionin vendor (8 ligje dhe mbi 15 VKM dhe Udhëzime). Kemi dyfishuar fondin e investimeve (FZHR) në krahasim me 2013 nga 5 miliardë në 10 miliardë; kemi rritur buxhetin e qeverisjes vendore nga 2,1% e GDP në 3,1%. Menjëherë pas krijimit të 61 bashkive të reja ne vitin 2015, kemi dhënë fondin e tranzicionit prej 20 milionë dollarë, dhe kemi rritur pagat e qeverisjes vendore me gati 40 %, tha në mënyrë të përmbledhur Hoti.


Ligji për financat vendore


Pas fjalimeve përkatëse të secilit ekspert pati edhe një seancë pyetjesh dhe diskutimesh, ku u fol për dixhitalizimin e arkivave, ligjit për financat vendore si dhe për skemën që do të ndiqet për shlyerjen e borxheve të bashkive.  Duke u ndalur si fillim te ligji për financat vendore, ministri Bledi Çuçi theksoi se ky është ligji më i rëndësishëm i radhës sepse konsolidon marrëdhënien fiskale midis bashkive dhe buxhetit të shtetit si dhe garanton me ligj pjesën që do i jepet çdo vit si transfertë e pakushtëzuar bashkive.

Çdo vit me buxhetin e shtetit ne alokojmë si transfertë të pakushtëzuar një sasi parash nga buxheti i shtetit që i jepet bashkive. Kjo negociohej çdo vit kur miratohej buxheti i shtetit, ndërsa tani nuk do jetë e negociueshme çdo vit, sepse disa qeveri e bënin më pak disa më shumë. Sivjet ka qenë transferta më e madhe historike 15.5 miliardë lekë si transfertë e pakushtëzuar. Tani kjo gjë do sanksionohet me ligj, do jetë si përqindje e GDP-së, pra nëse ekonomia shqiptare rritet detyrimisht dhe transferta që i shkon bashkive do rritet, tha ministri Çuçi, ndërsa shtoi se në këtë mënyrë materializohet për herë të parë koncepti i taksave të ndara, ku janë disa taksa që ndahen me përqindje, pra një pjesë i shkon buxhetit të qeverisë, një pjesë qeverisjes vendore.


Borxhet e bashkive


Ministri foli edhe për borxhet që kanë akumuluar bashkitë për të cilat theksoi se do të hartohet një program shlyerje i shtrirë në vite, dhe se kjo çështje do zgjidhet me një marrëveshje me Ministrinë e Financave.  Pra do bëhet një program shlyerje i shtrirë në vite dhe do ndërpritet çdo burim që krijon borxh nga bashkitë. Kjo marrëdhënie kjo disiplinë do vendoset midis bashkive dhe Ministrisë së Financave. Nuk do jepen para shtesë për të paguar borxhet. Kjo nuk do të thotë që nuk do paguhet borxhi, por do të thotë që nuk mund të stimulojmë krijimin e borxheve për shkaqe  të keqmenaxhimit.  Pra do paguhen nga burime të Bashkisë por të shtrira në vite, sqaroi ministri.


Dixhitalizimi i arkivave


Një nga komponentët e projektit STAR 2 është miratimi mbarëkombëtar i një sistemi për dixhitalizimin e arkivave të qeverisjes vendore. Ky produkt mbështetet te rezultatet e arritura nga pilotimi gjatë zbatimit të projektit STAR1, ndërkohë që vlerësohet gjendja e arkivave vendore dhe e nevojave për ta trajtuar këtë situatë e për të ngritur një sistem të ri të menaxhimit të dokumenteve për bashkitë e ngritura rishtazi. Ministri Çuçi ndërsa iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve theksoi gjatë fjalës së tij në takimin e Gjirokastrës se brenda dy viteve do të realizohet dixhitalizimi i arkivave të bashkive, një proces që do të kushtojë rreth 1 milione euro por që do të vendos standarde të reja në funksionimin e bashkive dhe shërbimin ndaj qytetarëve.   Është një proces shumë voluminoz pune, i cili fillon me inventarizimin e gjithë dokumentacionit që kanë bashkitë;  pasi bashkohen edhe arkivat e ish komunave. Do të bëhet indeksimi, skanimi, dixhitalizimi në një sistem të tërë, dhe më pas të funksionojë protokolli i çdo bashkie në mënyrë dixhitale. Do të thotë që çdo shkresë që do prodhohet, do skanohet dhe do jetë dixhitale, pra komunikimi administrativ do jetë dixhital. Shpresojmë që për një kohë të shkurtër 2 vjet ne të jemi në përfundim të këtij procesi, një punë kolosale e cila kërkon impenjim total, pasi situata aktuale është skandaloze sidomos në ish komuna. Kostoja e këtij procesi shkon 1 milion euro.  Ky është një standard i një qeverisje të mirë, tha ministri Çuçi.

Projekti Star II, (që po mbështet zbatimin e reformës administrative-territoriale) është një financim prej rreth 8 milionë dollarësh dhënë nga Bashkimi Europian, qeveria e Shqipërisë, Suedisë, Italisë  e Zvicrës, si dhe nga PNUD dhe USAID.