Ditën e djeshme, kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi  një bashkëbisedim me studentët në Korpusin Universitar, ku përveç premtimeve për rrëzimin e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe financimin e etazheve për 10 mijë studentë, foli edhe për krizën politike.


Në bazë të situatës së krijuar, ku është në udhëkryq edhe Reforma Zgjedhore e kërkuar me ngulm nga OSBE/ODHIR, Basha për herë të parë ka hedhur dje në fushën e lojë kartën e listave të hapura.


Projekti që kemi nisur së bashku dhe kemi djegur mandatet, është shumë më i thellë sesa thjesht largimi i kësaj qeverie dhe ndryshimi i kësaj qeverie. Është një projekt kombëtar për të ndërtuar së bashku një Shqipëri të vlerave europiane. Për këtë duhen edhe ndryshime të thella në sistem. Për shembull, ka ide të vlefshme si listat e hapura, ku qytetarët jo thjesht të vendosin për siglën e partisë, por të vendosin se kë preferojnë nga lista e deputetëve, për një Parlament, i cili të ketë deputetë që më të vërtetë e lidhin fatin e tyre me qytetarët, tha Basha.


Aktualisht sistemi zgjedhor në Shqipëri është i ndërtuar me lista të mbyllura, ku deputetët zgjidhen nga kryetari i Partisë dhe qytetarët nuk votojnë për ligjvënësin që do i përfaqësoj në Parlament, por për siglën e forcës politike.


Fakti që Basha e sjell nëpërmend një përmbysje të status-quo-së tregon se bisedimet me Edi Ramën, në rast se do të ketë për të kaluar ngërçin aktual nuk do të jenë të lehta, pasi kryeministri është një nga mbështetësit e listave të mbyllura.


Por, Basha duket se mendon të kundërtën pasi u shpreh dje se kjo është një mundësi e mirë për të futur në Parlament njerëz që përfaqësojnë popullin dhe për të shmangur raste të tilla si Ndoka e Prenga, që i kapi dekriminalizimi pasi kishin hyrë në Kuvend si deputet të votuar nga populli.


Në këtë mënyrë, një Parlament i tillë është garanci që edhe qeveria do tu shërbejë interesave të qytetarëve, sepse është Parlamenti ai që e mban përgjegjës qeverinë në demokraci, theksoi kreu i PD-së.