Instituti Demokracia për Zhvillim ka publikuar një analizë të punës së Komisionit për Reformë Zgjedhore ku thuhet se Komisioni Zgjedhor nuk e ka kryer punën për të cilën e ka marr mandatin. Në këtë analizë po ashtu rekomandohet një proces që kthen dinjitetin e zgjedhjeve, një kod gjithëpërfshirës zgjedhor por gjithashtu që ligji të parasheh dënimet në proporcion me parregullsitë e bëra.

Menaxher i projekteve në organizatën Demokraci për Zhvillim (D4D), Valmir Ismaili, gjatë një konference për media ka deklaruar se pas monitorimit të punës së Komisionit për Reformën Zgjedhore, publikojnë këtë analizë që paraqet procesin e rishikimit të ligjit, punës së komisionit dhe institucioneve tjera të përfshira si dhe 150 rekomandimet që kanë rezultuar nga ky proces, e të cilat, sipas tij, pak sjellin përmirësime reale.

Sipas tij, krijimi i një Grupi të jashtëm punues ka ndërlikuar procesin e reformës zgjedhore ku për pasojë kishte edhe zhvendosjen e vendimmarrjes dhe po ashtu janë trajtuar shumë shkarazi çështja e listave zgjedhore dhe nuk ka pasur një zgjedhje të duhur.

“Komisioni Zgjedhor as për së afërmi nuk e ka kryer punën për të cilën e ka marr mandatin dhe është larg asaj për t’u arritur. Ne insistojmë që të kthehet dinjiteti në zgjidhje, do të thotë të kemi një proces që kthen dinjitetin në zgjedhje. Duhet ta kemi një kod gjithëpërfshirës zgjedhor dhe është më mirë vonë se fare ta kemi një proces të mirëfilltë zgjedhor. Po ashtu, ne mendojmë që vendimi për çështjen e zonave duhet të merret sa më shpejt, jo se kjo ndikon në eliminimin e pa rregullsive por sepse kjo i hap rrugë edhe çështjeve tjera, të cilat kanë mbetur peng i moszgjidhjes”, ka thënë Ismaili, siç transmeton Kosovapress.

Pas një vit pune, Komisioni për reformë Zgjedhore pritet që pas tri javësh të rekomandoj një draft-ligj për zgjedhjet e përgjithshme.