Gjatë vizitës së saj në Berlin, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaju prit në një takim në Ministrinë e Brendshme Federale nga z.Stephan Meyer, Sekretar Shteti Parlamentar në Ministrinë e Brendshme Federale, si dhe në dy takime në Bundestagun Gjerman nga z. Patrick Sensburg, Kryetar i Komisionit për Imunitetet, Zgjedhjet dhe Rregullat Procedurale si dhe z. Johannes Fechner, zëdhënës i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve.


Ministrja Gjonaj i njohu përfaqësuesit e këtyre institucioneve me zhvillimet në Shqipëri dhe përpjekjet për forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.


Gjatë këtyre takimeve u diskutua propozimi i Komisionit të Bashkimit Evropian për hapjen e pakushtëzuar të negociatave me Shqipërinë, si dhe reformat e thella që ka ndërmarrë Qeveria jo vetëm si detyrim në kuadër të këtij procesi, por sidomos për zhvillimin europian të Shqipërisë.


Autoritetet gjermane, si edhe deputetët e Bundestagut, vlerësuan arritjet e Shqipërisë, veçanërisht rezultatet e para të Vettingut dhe në rastet e fillimit të ndjekjes penale ndaj zyrtarëve të lartë publik, si dhe mbështetën fort vijimin e reformave që ka ndërmarrë Shqipëria që garantojnë forcimin e shtetit ligjor, luftë kundër kriminalitetit, emigrimit të palishëm si dhe krijimin e kushteve për zhvillimin ekonomik dhe pjesëmarrjen në tregun e përbashkët evropian.


Sensburg u shpreh i gatshëm për të mbështetur në çdo formë përpjekjet për promovimin e arritjeve të Shqipërisë jo vetëm më zyrtarët publik në Gjermani, por edhe me qytetarët e tjerë gjerman për të kuptuar proceset e rendësishme që po ndërmerr Shqipëria si dhe efektet që kanë këto procese edhe në vendet e tjera të Bashkimit Evropian.


Nga ana tjetër, Fechner, vlerësoi reformat e ndërmarra deri më tani duke theksuar se do tia përcjellë të gjithë kolegëve të tij rezultatet e prekshme të arritura si pasojë e këtyre reformave.


Gjithashtu, Fechner ofroi gatishmërinë e tij, si dhe të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve për të ndihmuar Ministrinë e Drejtësisë dhe Qeverinë shqiptare në luftën kundër korrupsionit.


7 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)