Në zbatim të vendimit të qeverisë do të krijohet regjistri elektronik kombëtar për ndërmarrjet e transportit rrugor, të cilat janë licencuar nga organet e transportit. Ky regjistër vendoset pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor. Të dhënat që përmban regjistri elektronik kombëtar trajtohen dhe mbikëqyren vetëm nga personat përgjegjës të caktuar me ligj për këtë qëllim. Informacioni i grumbulluar për ndërmarrjet e transportit rrugor nga organet e transportit dërgohet te Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, e cila i hedh ato në regjistër. Regjistri elektronik kombëtar do të përmbajë të dhënat: emrin dhe formën juridike të ndërmarrjes, adresën e vendosjes së saj, emrin e drejtuesit të veprimtarisë së transportit, i caktuar në plotësimin e kushteve, përsa i përket reputacionit të mirë dhe kompetencën profesionale dhe emrin e ortakëve, llojin e licencës dhe llojin e mjeteve, numrin dhe llojet e shkeljeve si dhe emrin e çdo personi të deklaruar të papërshtatshëm në veprimtarinë e transportit të një ndërmarrje në dy vitet e fundit.


Operatorët e transportit, pa licencë në raste shkeljesh

Organet e transportit refuzojnë kërkesën për licencim kur drejtuesi i veprimtarisë nuk ka plotësuar periudhën e rehabilitimit nga data që i është komunikuar dënimi. Këto organe heqin licencën e një operatori të transportit rrugor në përputhje me “Për transportet rrugore”. Para marrjes së një vendimi, për shkeljet e kryera nga ndërmarrja ose drejtuesi i veprimtarisë, organi i transportit grumbullon informacionin e duhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Inspektorati i Punës dhe institucionet e tjera, që konsiderohen të rëndësishme në veprimtarinë e operatorit të transportit rrugor. Në aktin e refuzimit, organi i transportit arsyeton mbi shkaqet e refuzimit të licencimi të operatorit të transportit rrugor dhe të deklarimit të papërshtatshëm të drejtuesit të veprimtarisë. Organi i transportit specifikon arsyen e humbjes së reputacionit të mirë të drejtuesit të veprimtarisë si dhe masën rehabilituese përkatëse sipas vendimit.

Rregullat
Vendimi

Transporti i mallrave dhe i udhëtarëve do të lejohet të kryhet nga ndërmarrje të transportit kur drejtuesit janë të pajisur me licencën përkatëse, e cila përmban të gjitha kriteret e përcaktuara me ligj. Licenca specifikohet për të kryer transport rrugor për të tretë ose me qira, të mallrave ose udhëtarëve brenda vendit si dhe për transportin ndërkombëtar.

Licencimi

Licenca për pranimin e veprimtarisë së transportit rrugor të mallrave dhe udhëtarëve jepet për operatorët e transportit rrugor kur plotëson kushtet: të ketë reputacion të mirë, të ketë besueshmëri financiare si dhe të ketë kompetencë profesionale të nevojshme.

Kapitali

Sipas vendimit, ndërmarrja duhet të ketë kapital të vlefshëm 4000 euro për mjetin e parë dhe 200 euro për çdo mjet shtesë, kur kryen transport ndërkombëtar të mallrave dhe udhëtarëve. Gjithashtu 300 000 lekë për mjetin e parë dhe 15 000 lekë për çdo mjet shtesë, kur kryen transport të mallrave dhe të udhëtarëve brenda vendit.

Rilicencimi

Përcaktohen me vendim rregullat e reja që do t’u nënshtrohen si operatorët e transportit rrugor të mallrave, ashtu dhe ata të udhëtarëve. Po ashtu, përmes këtyre rregullave do të mundësohet njohja e dokumenteve zyrtare të nevojshme për rilicencimin e kësaj veprimtarie.


21 Mars 2008