Komisioni Evropian mirëpriti dje hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë. "Komisioni mirëpret hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë. Ne konsiderojmë se hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje shënon fillimin e një periudhe gjatë së cilës angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe pritshmëritë mbi performancën e Shqipërisë do të jenë më të larta se kurrë më parë", deklaroi Amadeu Altafaj, zëdhënës i Komisionit Evropian. Sakaq, komisioneri evropian për zgjerimin, Oli Ren, konstatoi se hyrja në fuqi e MSA-së përfaqëson një marrëdhënie kontraktuese me të drejta dhe detyrime të përbashkëta dhe se marrëveshja fokusohet në respektimin e parimeve kyçe demokratike dhe në elementet bazë që përbëjnë zemrën e tregut unik evropian. Ren theksoi se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë progresin e Shqipërisë drejt integrimit, nëpërmjet procesit të stabilizim-asociimit dhe politikave të unionit për forcimin e bashkëpunimit me Ballkanin dhe bashkëpunimin rajonal. Sakaq, ambasadorja e Çekisë, Marketa Fialkova, vendi që kryeson presidencën e BE-së, përshëndeti gjithashtu hyrjen në fuqi të MSA-së. "Përgëzoj Shqipërinë për këtë ditë të shënuar. Ne ju përgëzojmë dhe besojmë se vendi juaj do të ecë para me reformat. Jam e bindur se sido që të shkojnë zgjedhjet, këto reforma do të shkojnë para. Pas anëtarësimit në NATO, kjo është një siguri që Shqipëria jep edhe përpara anëtarësimit të plotë në BE", u shpreh Fialkova.