Pas blerjes së Kyle Walker-it, te Manchester City do të vijë edhe Benjamin Mendy, duke e plotësuar dhe rifreskuar mbrojtjen e ekipit të Pep Guardiola-s.


Tekniku katalanas dëshironte që të blinte katër mbrojtës në këtë merkato vere, për ta blinduar dhe bërë të pathyeshme atë.


Tani, me emrat që janë në prapavijë mund të thuhet se qytetarët kanë mbrojtjen më të shtrenjtë të botës.


Katër nga 5 futbollistët e prapavijës do të jenë prurje të Pep-it.


I pari i blerë nga spanjolli ishte John Stones që u mor në verën e shkuar për shifrën e 55 milionë eurove.


Tri të tjerët janë pjesë e ekipit. Realisht, mungon vetëm zyrtarizimi për njërin prej tyre.


Gardiani Ederson u mor nga Benfica për 40 milionë euro, Walker-i nga Totannham-i për 55 milionë euro.


Tani te City janë në pritje të firmës në kontratë të Mendy-yt.


Akordi me Monaco-në dhe lojtarin është arritur dhe City do të paguajë për kartonin e 22 vjeçarit 50 milionë euro.


Por për ta bërë mbrojtjen më të shtrenjtën, në listë do të shtohet edhe Nicolas Otamendi.


Futbollisti argjentinas u mor nga Valencia për shumën e 40 milionë eurove. Ai u ble kur në stol ishte Manuel Pellegrini.


Në total, prapavija kushton 240 milionë euro. Një shifër e jashtëzakonshme, e cila shërben për të ndërtuar ekipe mjaft konkuruese.


Ndërkohë te City harxhojnë vetëm për prapavijën. E sigurt është që në sezonin e ardhshëm, qytetarët do të jenë kandidati kryesor për ekipin që pëson më pak gola.