Deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa ka thënë se grupet punuese të PDK-së dhe LDK-së ende nuk kanë biseduar për postet kryesore e as për postin e kryeministrit.

Gjatë intervistës së transmetuar në edicionin e lajmeve të RTV 21, Remi ka lënë të kuptohet se megjithatë partia e tij ende nuk ka hequr dorë tërësisht nga posti i kryeministrit pasi rregullisht e ka përmendur që PDK është partia e parë dhe se institucionet duhet të krijohen në bazë të vullnetit të qytetarëve që ka dal nga zgjedhjet e 8 qershorit, transmeton Indeksonline.

I pyetur për deklarimin e liderit të LDK-së, Isa Mustafa se po nuk u bë kryeministër bie koalicioni, Rrustem Mustafa ka thënë se "nuk dëshiron të besoj që ndonjë lider në Kosovë të kushtëzojë ecjen drejt funksionimit të vendit dhe normalizimit të shtetit me pozitën personale".

"Nuk kemi folur për postin e kryeministrit, por PDK e respekton procedurat demokratike. Në bazë të zgjedhjeve demokratike, ne jemi partia e parë... Shumë shpejtë jemi të obliguar të krijojmë mekanizmat shtetëror sa më shpejtë që është e mundshme", ka thënë Remi.