Ish komandanti i UÇK-së për Llap, nuk e sheh si zgjidhje koalicionin në mes të PDK-së dhe AAK-së, pasi sipas tij, për proceset e mëdha që priten për vendin duhet një koalicion më i fortë dhe më i qëndrueshëm që arrihet vetëm me LDK-në, e ku nuk përjashtohen partitë më të vogla.
Jam i mendimit se Kosovës i duhet një koalicion PDK-LDK, pasi mendoj se do të ishte i vetmi koalicion që garanton shumicën dhe që është i aftë të marrë vendime të rëndësishme për vendin dhe në interes të vendit, ka thënë Mustafa për portalin Korieri.info.
Sipas tij, duhet ndryshimi i qasjes qeverisëse në Kosovë, dhe ai mendon se asnjë koalicion tjetër nuk e garanton këtë ndryshim.
Ndryshimi i qasjes qeverisëse mund të bëhet vetëm me një koalicion PDK-LDK. Me të tjerët mund vetëm të vazhdojmë këtë qasje që e kemi që nga paslufta, e që konsideroj se është ndër hallkat më të dobëta të shtetit tonë të ri, i cili ka nevojë për një zhvillim më të madh ekonomik, për një arsim më cilësor, për sundimin dhe forcimin e rendit dhe ligjit dhe atë duke filluar nga Prishtina,e tutje, thotë Mustafa.