Singapori u ngrit në majë të listës së 131 qyteteve si më i shtrenjti në botë për të jetuar më 2014, sipas The Economist. Monedha e fortë e qytetit e kombinuar me koston e lartë të makinave dhe rritjen e faturave të energjisë e ujit kontribuuan që Singapori të ngjitet në majë të listës. Ai është gjithashtu vendi më i shtrenjtë në botë për të blerë rroba.
Singapori zëvendëson Tokion, qyteti më i shtrenjtë për vitin 2013. Këtë vit, Parisi, Oslo, Zyrihu dhe Sidnei u renditën si pesë qytetet më të shtrenjta bashkë me Singaporin, ndërsa Tokio ra në vend të gjashtë.
Vrojtimi i Kostos së Jetesës së The Economist përdor Nju Jorkun si qytet referencë. Ajo analizon çmimet e 400 mallrave dhe shërbimeve. Lista me 10 qytetet më të shtrenjta këtë vit është dominuar nga Azia dhe Australia, si dhe disa qytete në Europë.
Por disa qytete të Azisë janë gjithashtu në listën e më të lirëve në botë, veçanërisht qytetet në nënkontinentin indian. Shumica e qyteteve të Azisë në majë të listës janë aty veçanërisht për koston e lartë të ushqimeve. Tokio mbetet qyteti më i shtrenjtë në botë për ushqimet e përditshme.
Në anën tjetër, qytetet e mëdha të Indisë si Mumbai dhe Nju Delhi rezultuan mes më të lirëve në botë. Çmimet e Mumbait (ish-Bombei) mbahen të ulëta nga pabarazia në të ardhura. Pagat e ulëta të punëtorëve i mbajnë të ulëta shpenzimet dhe rrjedhimisht çmimet.
Ndërkohë, Damasku i Sirisë u bë qyteti i katërt më i lirë në botë nga renditja e The Economist si pasojë e rënies së çmimeve nga lufta civile që po vijon.
Ky shkrim Renditja: Singapori, qyteti më i shtrenjtë i botës u publikua me pare te Gazeta SHQIP.