Procesi i restaurimit të banesave gjirokastrite, të cilat janë shpallur monument kulture, po vazhdon në godinën e cila është në pronësi të familjes Omari. Ajo është cilësuar si "dyqani i omaratëve" dhe ndodhet në pazarin karakteristik të qytetit të gurtë. I ndërtuar sipas stilit arkitekturor otoman, ky dyqan po i nënshtrohet një restaurimi të plotë. Projekti restaurues synon ndërhyrje në të gjitha elementet e arkitekturës së jashtme, konstruksionin e brendshëm dhe mbi të gjitha në ruajtjen e origjinalitetit të tij si në anën ndërtimore ashtu edhe në fasadën e jashtme. Ky origjinalitet pritet të respektoje edhe ngjyrën. Sipas ekspertëve të monumenteve, ky objekt është i vetmi në zonën e Qafës së Pazarit që është i lyer me ngjyrë të verdhë, banesat e tjera kanë ngjyrë të bardhë. Gjithçka po kryhet për të ruajtur traditën e hershme. Ndërkaq, qytetarët e vjetër gjirokastritë pohojnë se e gjithë fasada e dyqaneve në pazarin karakteristik dikur ka qenë ngjyrë okër, por ka ndryshuar në të bardhë rreth vitit 1968. Punimet restauruese po monitorohen nga ekspertët e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve.
En.Se.