28 qershor 1914



Të dielën e 28 qershorit 1914, rreth orës 1.15, Franc Ferdinandi dhe e shoqja u vranë në Sarajevë, kryeqytetin e provincës austro-hungareze të Bosnje-Hercegovinës, nga Gavrilo Principi, një 19-vjecar, anëtar i ‘Bosnja e Re’ dhe një prej grupit të vrasësve të organizuar nga Dora e Zezë. Vrasja i dha shkas një serie ngjarjesh që çuan në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Çifti u sulmua pak para atentatit me një bombë që u hodh në makinën e tyre. Ferdinandi iu shmang bombës, e cila shpërtheu diku pas makinës. Thuhet se ai u bërtiti zyrtarëve vendorë: pra, ju i prisni mysafirët me bomba. Çifti mbretëror këmbënguli për të shkuar në spital, për të parë të gjithë të lënduarit nga bomba të shtruar në spitalin e qytetit. Pas vizitës ata vendosën të ktheheshin në pallat, por shoferi i tyre humbi rrugën dhe u fut në një rrugë dytësore ku u ndeshën me Principin. Teksa makina po kthehej mbrapsht, atentatori u afrua dhe e qëlloi Sofinë në bark dhe Franc Ferdinandin në fyt. Ai ishte ende gjallë kur dëshmitarët mbërritën për ta ndihmuar. Fjalët e tij të fundit për Sofinë ishin: mos vdis e dashur, jeto për fëmijët tanë! Franc Ferdinandi vdiq brenda pak minutash, ndërsa Sofia ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital.