duleE përditshmja maqedonase, Vecer, i ka kushtuar një artikull koalicionit mes minoritetit grek dhe atij bullgar në Shqipëri.


Fillimisht na vendosin veto, tani duan të asimilojnë minoritetin tonë, kështu titullohet shkrimi.


Gazeta raporton se lideri i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, ka shpallur bashkëpunimin e partisë së tij me Yzeir Fetahun, kreun e Partisë për Prosperitet Demokratik, që përfaqëson interesat e komunitetit bullgar në Gollobordë.


Por Aleanca Maqedonase për Integrimin Europian thotë se në Gollobordë nuk jetojnë bullgarë.


Kjo është një propagandë absolute e shtetit bullgar kundër maqedonasve në Shqipëri dhe synon asimilimin e maqedonasve. Pasi vendosën veto për Maqedoninë për negociatat e anëtarësimit, tani po përpiqen që të shkatërrojnë dhe asimilojnë minoritetin maqedonas, thotë Vasil Steriovski, Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës Maqedonase për Integrimin Europian.


Gazeta Vecer shkruan se Yzeir Fetahu bashkëpunon prej dy vitesh me radikalin bullgar Krasimir Karakachanov. Thuhet se ata po bashkëpunojnë për agjendën e tyre që synon dhënien e pasaportave bullgare për maqedonasit në Shqipëri.


Ndërkohë Aleanca Maqedonase për Integrimin Europian është në koalicionin e djathtë, kurse Dule dhe Yzeirin janë në koalicionin e majtë./ep